Lajme

Zyrtarët ukrainas akuzojnë forcat ruse për vrasjen e 22 civilëve në Sumi

03/09/2022 13:51
nga:Astrit Gashi

Evakuimi i civilëve nga qytetet e rrethuara në Ukrainë po vazhdon, por autoritetet në Kiev kanë akuzuar ushtrinë ruse se gjatë natës ka granatuar qytetin Sumi, në verilindje të vendit.

Deri me tani nga Sumi janë evakuuar mbi 7 mijë njerëz, por si pasojë e sulmit të ndërmarrë nga forcat ruse në këtë qytet gjatë natës janë vrarë së paku 22 civilë, në mesin e tyre edhe tre fëmijë, kanë deklaruar zyrtarët ukrainas.

Guvernatori rajonal, Dmitro Zhivicki, deklaroi se forcat ruse kanë bombarduar një lagje të banuar në veri të Sumit, duke e cilësuar këtë sulm si vrasje masive.

Ukraina gjatë ditës së sotme do të përpiqet që të evakuojë civilët nëpër gjashtë korridoret humanitare, të cilat u hapën pas marrëveshjen për armëpushim mes Ukrainës dhe Rusisë, armëpushim ky i cili do të zgjasë 12 orë.