Lajme

Zyrtarët paralajmërojnë votuesit amerikanë për dezinformimin rreth zgjedhjeve

06/30/2024 21:50
nga:G B

Analistët thonë se votuesit amerikanë duhet të jenë të vëmendshëm ndaj dezinformatave nga vendet e huaja që kanë për qëllim të ndikojnë tek zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias njofton mbi kërcënimet e ashtuquajtura “operacione për ndikim” dhe përpjekjet e qeverisë dhe organizatave jofitimprurëse për të ndihmuar votuesit amerikanë që t’i shmangin këto kërcënime.

Drejtuesit e kompanive të inteligjencës amerikane po punojnë intensivisht për të mbrojtur zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2024 nga ndërhyrjet e huaja keqdashëse. Por analistët thonë se përpjekjet për të ndërhyrë në zgjedhje duke përdorur dezinformata kanë filluar.

“Këto përpjekje synojnë minimin e besimit tek institucionet demokratike të SHBA-së. Një nga format është përdorimi i rrjeteve sociale për të vënë në pikëpyetje nëse demokracia funksionon. Për shembull, nëse një i huaj mendon se një kandidat i caktuar nuk është i favorshëm për synimet gjeopolitike të vendit të tij, ne shohim aktivitete për ta dëmtuar atë kandidat”, thotë Sean Minor, analist i zbulimit për kërcënimet në kompaninë private të zbulimit ‘Recorded Future’.

Teknologjitë në zhvillim mund të ndihmojnë grupet e huaja të përhapin gënjeshtra më lehtësisht dhe më shpejt, paralajmëroi kryetari i Komisionit të Zbulimit në Senat, senatori demokrat Mark Warner, gjatë një seance dëgjimore që u mbajt së fundmi në Kongres.

“Inteligjenca Artificiale ka lehtësuar dhe përshpejtuar procesin e ndërhyrjes dhe shpërndarjes së dezinformacionit. Mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të bëjmë një punë më të mirë, me përkrahje dypartiake, për të edukuar publikun amerikan se ky problem nuk është zhdukur”, thotë z. Warner.

Votuesit amerikanë të intervistuar nga Zëri i Amerikës thonë se janë të vetëdijshëm për kërcënimin, por pranojnë se ka njerëz që e kanë të vështirë të dallojnë të vërtetën nga gënjeshtra, veçanërisht në rrjetet sociale.

“Inteligjenca artificiale mund të përdoret për të shtrembëruar atë që po thotë një person”, thotë Caylon Weathers, i cili është me origjinë nga Tenesi, por jeton në Virxhinia.

“Është shumë e vështirë sepse shpesh dëgjuesit nuk e vënë në diskutim informacionin që marrin nga platforma të caktuara”, thotë votuesja tjetër amerikane, Sheila DeBonis.

Votuesit kanë mendime të ndryshme për mënyrën se si duhet të trajtohet kjo sfidë.

“Mendoj se duhet të përfshihet një palë e pavarur që mund ta verifikojë informacionin, sepse përndryshe do të na mbetet t’u besojmë këtyre njerëzve apo këtyre platformave për të na dhënë informacion të saktë”, thotë votuesi Joe Judge.

“Nuk jam i sigurt se mund të bëhet diçka për këtë pa censuruar shumë internetin. Unë mendoj se i takon individit të jetë gjithashtu një votues i informuar”, thotë votuesi tjetër, Cole Thomas.

Aktualisht po bëhen përpjekje për të edukuar votuesit për të luftuar dezinformimin.

Agjencia e SHBA-së për Sigurinë Kibernetike dhe Sigurinë e Infrastrukturës i tha Zërit të Amerikës se ka krijuar një faqe interneti ku mund të gjenden informacione të besueshme për zgjedhjet në SHBA dhe për të identifikuar dezinformacionin.

Organizata jo qeveritare “Literacy News Project” ka vënë gjithashtu disa burime në dispozicion për të ndihmuar votuesit në këtë drejtim.

“Taktika numër një e propagandistëve në internet, të cilët përhapin gënjeshtra dhe informacione mashtruese, është të ndikojnë te njerëzit emocionalisht. Nëse shihni diçka që duket e ekzagjeruar, e frikshme, është gjithmonë ide e mirë të pyesni veten nëse ka ndonjë provë që pretendimi është i vërtetë”, thotë Peter Adams, nga “The News Literacy Project”.

Drejtori i FBI-së Christopher Wray është mes zyrtarëve të nivelit të lartë që i janë drejtuar Kongresit për këtë çështje. Ai thotë se një publik më i vëmendshëm, kombinuar me përpjekjet ndërinstitucionale dhe të sektorit privat, do të jetë thelbësor për të luftuar dezinformimin që synon të dëmtojë zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit./VOA