Lajme

Zyrtarët e MASHT-it demantojnë pretendimet e shtëpisë botuese, e cila ka ngritur kallëzim penal ndaj tyre

07/26/2022 10:19
nga:G B

Pretendimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare që shtëpia botuese “Luarasi”, i ka ngritur përmes një kallëzimi penal ndaj dy zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHT), Feime Llapashticës dhe Fatos Osmanit, i ka hudhur poshtë ky i fundit, duke i quajtura pretendime të paqëndrueshme dhe tendencioze.

Osmani, i cili ishte në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore (KEPTSH), në MASHT në sqarimet dhënë për “Betimi për Drejtësi”, ka treguar procesin e përzgjedhjes së dorëshkrimeve për klasën e katër dhe nëntë, për të cilat shtëpia botuese në fjale pretendon se dorëshkrimet e tyre janë vlerësuar me notë të ulët dhe me pas nuk janë marrë parasysh vendimi i komisionit për ankesa për rishqyrtimin e këtij dorëshkrimi.

“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në dhjetor të vitit 2021, ka shpallur ftesë publike për recensentë për vlerësimin e dorëshkrimeve për klasat e lartpërmendura, në bazë të konkursit të shpallur më datë 04 nëntor 2020, ku recensentët kanë qenë përgjegjës për vlerësim kritik dhe profesional të dorëshkrimit, teksti shkollor apo materiali mësimor”, ka bërë të ditur Osmani.

Tutje, ai ka thënë se KEPTSH, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura, në mënyrë që ky proces të realizohet sipas procedurave të rregullta ligjore dhe planit të veprimit të paraparë, e verifikuar kjo edhe në raportin e auditorit.

Sipas tij, me 28 mars kishte filluar procesi i shqyrtimit të raporteve të recensentëve për dorëshkrimet e klasës së katër  (IV), të nëntë (IX), si dhe shqyrtimin e raporteve të recensentëve për dorëshkrimet e teksteve për komunitetin turk dhe atë boshnjak, ku në proces për vlerësim të dorëshkrimeve të reja për këto thuhet të kenë qenë 77 dorëshkrime në gjuhën shqipe, 3 në gjuhën turke dhe 5 dorëshkrime në gjuhën boshnjake.

“Sipas UA nr. 5/2011, bazë për propozimin e tekstit shkollor për botim është marrë vlera minimale prej 3 pikëve kumulative të dhëna nga tre recensentët. Gjithashtu, edhe në rast kur vlera mesatare e përgjithshme është mbi 3 pikë, me rekomandimin e recensentëve, të evidentuar në raportin e tyre narrativ, nga shtëpia botuese/autori, është kërkuar të bëhen përmirësime, plotësime e sqarime shtesë në mënyrë që teksti shkollor të fitoj lejen e botimit”, ka thënë tutje Osmani.

Pas shqyrtimit të raporteve ishte publikuar lista preliminare e teksteve shkollore për klasat katër (IV) dhe nëntë (IX), dhe pas shqyrtimit të secilës ankesë së adresuar, sipas zyrtarit Osmani ishte publikuar edhe lista përfundimtare.

“Shtëpia botuese “Luarasi”,  ka ushtruar ankesë ndaj recensentit me kod M43 (Psikolog-pedagog) me pretendimin se nuk e ka llogaritur fletoren e punës si pjesë integrale të dorëshkrimit.  Ndërsa, në lidhje me këtë ankesë, Komisioni i Ankesave me 20.05.2022, ka shqyrtuar materialet dhe ka nxjerrë vendim për ta kthyer çështjen e poentimit në rishqyrtim në KEPTSH”, ka sqaruar tutje Osmani.

Takimin për të adresuar vendimin e komisionit të ankesave, me autorizim e kishte drejtuar anëtarja Feime Llapashtica, e cila në një përgjigje dhënë mediumit tone, ka treguar vendimin e kësaj mbledhje.

“Recensenti M43,  nuk ka pasur për të vlerësuar standardin 14 që lidhet me fletoren e punës dhe rrjedhimisht nuk e  ka vlerësuar atë standard. I bie që poenat e tij nuk i përkasin edhe standardit 14 dhe kështu totali i pikëve 2.66, nuk prodhon efekt të dëmtimit të vlerësimit të këtij dorëshkrimi për shkak të mungesës apo jo të fletores së punës.   KEPTSH, verifikoi se dy recensentët tjerë e kanë vlerësuar standardin 14 dhe i bie që totali i pikëve të fituara vjen nga një vlerësim i plotë i dorëshkrimit”, thuhej në procesverbalin e kësaj mbledhje për shqyrtimin e ankesave.

I njëjti vendim, sipas Llapashticës e Osmanit i ishte përcjellë edhe Komisionit të Ankesave dhe një shkresë shtëpisë botuese “Luarasit”.

Ndër të tjera, Fatos Osmani, i cili është edhe këshilltar në kabinetin e ministres Arbërie Nagavci, ka thënë se për kallëzimin penal janë njoftuar tani pasi parashtrimit të pyetjeve të mediumit dhe se ndaj këtij kallëzimit sipas tij, të rrejshëm për shpifje dhe dëmtim të imazhit, do t’i marrin të gjitha masat e duhura ligjore.

Ndryshe, Kallëzim penal i ngritur nga Shtëpia Botuese “Luarasi”, përmes avokatit Driton Muharremi, pretendon se Fatos Osmani në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore (KEPTSH), në MASHT dhe Feime Llapashtica në cilësinë e anëtares, kane tejkaluar kompetencat e tyre duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qellim te përfitimit të dobisë pasurore tjetrit dhe duke i shkaktuar dëm Shtëpisë Botuese në fjalë,

Fillimisht, thuhet se Këshilli i Eksperteve për Programe për Tekste Shkollore ka publikuar rezultatet preliminare për tekstet te klasave 4 dhe 9, respektivisht vlerësimin e dorëshkrimit te tekstit Matematika 4 e Shtëpisë Botuese “Luarasi”  ku recensenti me Kod M43 dorëshkrimin ne fjale e ka vlerësuar me note 2.66 duke pretenduar se setit i mungon libri fletore pune dhe ne ketë mënyre ia ka pamundësuar kalimin e librit me poenë për vlerësim pozitiv.

Mirëpo, më pas komisioni i ankesave kishte ftuar ekspertin dhe i njëjti kishte thënë se libri i plotëson kushtet për përdorim (kalueshmëri) dhe e ka vlerësuar me notën 3.00. Kështu, sipas këtij kallëzimi penal, Këshilli kishte injoruar vendimin e komisionit të ankesave për rishqyrtimin e dorëshkrimit dhe kishte vazhduar me procedura.

Për këtë, në kallëzim penal thuhet se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqperdorimi i pozites apo autoritetit zyrtar nga neni 414, paragrafi 3 pika 3.6 lidhur me paragrafin 1 te KPRK-se.