Sporti

ZYRTARE: Superliga themelohet, por në Afrikë

08/11/2022 18:29
nga:E K

Një nga risitë e Asamblesë së Përgjithshme të Konfederatës së Futbollit Afrikan (CAF), e cila u zhvillua në Tanzani, ishte shpallja e krijimit të një Superlige afrikane. Një projekt që u kundërshtua shumë në futbollin europian, ky kompeticion ka mbështetjen e FIFA-s dhe do të nisë në vitin 2023.

“Ky është një projekt krejtësisht i ndryshëm nga ai europian, i cili nuk ishte gjë tjetër veçse një arratisje nga strukturat e futbollit. Kjo do të bëhet me CAF dhe FIFA, duke respektuar piramidën e futbollit”, garantoi Gianni Infantino, përcjell GazetaBlic Sport.

Në garë do të përfshihen 24 klube dhe një total prej 95.9 milionë eurosh që do të shpërndahen mes pjesëmarrësve. Kampioni do të ketë garantuar një çmim prej 9.5 milionë euro, vetëm për fitimin e trofeut dhe secila prej federatave do të marrë 967 mijë euro, si rezultat i fitimeve që CAF shpreson të gjenerojë me garën e re, të cilat do të duhet të investohen në infrastrukturën bazë.

24 klubet do të vijnë nga 16 shtete, me play-off që janë planifikuar për të përcaktuar promovimin dhe rënien nga kategoria, midis skuadrave që duhet të vijnë nga Liga e Kampionëve e Afrikës.

Në total, në gusht dhe maj do të luhen 197 ndeshje, ku dy finalistët do të luajnë maksimumi 21 ndeshje.

/GazetaBlic Sport.