Sporti

Zyrtare/ Pinto largohet nga Roma, ndryshojnë planet edhe për Mourinhon

01/04/2024 18:21
nga:E K

Tiago Pinto largohet nga Roma. Lajmi ishte në ajër, por ka ardhur edhe konfirmimi zyrtar nga palët, me portugezin që do të jetë drejtor sportiv i verdhekuqve deri në fund të janarit.

Palët kanë rënë dakord që të ndërpresin bashkëpunimin fill pas përfundimit të merkatos së janarit, ndonëse kontrata e Pintos me Romën skadonte në muajin qershor.

Në këto kushte verdhekuqtë janë vënë në lëvizje për të gjetur drejtorin e ri sportiv, teksa media në Itali raporton se emri i preferuar është ai i Federico Massarës, ish drejtues i Milanit, që bëri shumë mirë në krah të Maldinit.

Me largimin e Pintos ndryshon skenari edhe për Jose Mourinhon, që tashmë mund të marrë një tjetër ofertë për rinovimin e kontratës që skadon në fund të sezonit, këtë herë me më shumë pushtet për merkaton.

Vetë klubi verdhekuq, në lajmin për ndërprerjen e bashkëpunimit me Pinton, ka theksuar se në javët e ardhshme pritet të ketë të reja dhe zhvillime të rëndësishme.