Mbrojtësi i Ballkanit, Lumbardh Dellova është shpallur lojtari më i mirë i javës në Superligën e Kosovës në futboll.
Dellova ishte kyç në fitoren ndaj Dritës, pasi realizoi golin e dytë dhe të fitores në derbin e madh kosovar, shkruan GazetaBlic Sport.
FFK ka raportuar para pak çasteve se Dellova është shpallur lojtari më i mirë i javës.
Ja njoftimi:
“Lumbardh Dellova “Ylli i Javës”
Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i Javës”. Ky çmim për javën e 33-të në Albi Mall Superligë i ka takuar futbollistit të FC Ballkani, Lumbardh Dellova.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit, në përbërje: Enes Shosholli, Avni Shala dhe Bujar Guta.
Ky komision u dakordua që epiteti i yllit të javës t’i takojë mbrojtësit të FC Ballkani , pasi në ndeshjen kundër Dritës ishte i pakalueshëm në mbrojtje si dhe në fund shënoi golin vendimtar, që i solli fitoren portokallezinjve (2:1) dhe i la në garë për titullin e kampionit.
Çmimin “Ylli i Javës” për futbollistin e FC Ballkani, Lumbardh Dellova e ndau Dardan Kajdomqaj, menaxher i shitjes në Albi Group.
Pasi mori këtë çmim mbrojtësi i FC Ballkani u shpreh i lumtur që u vlerësua kontributi i tij në këtë ndeshje tejet të rëndësishme, derisa beson se skuadra e tij edhe në tri ndeshjet e mbetura do të arrijë fitore dhe në fund do ta mbrojë titullin e kampionit.
” Kjo është hera e parë që shpallem ‘Ylli i Javës’ dhe është një kënaqësi e madhe sidomos për faktin që unë vij nga reparti i mbrojtjes dhe kam arritur që të jem më i miri në xhiron e 33-të në Albi Mall Superliga.
Fitorja e djeshme ndaj Dritës është shumë e rëndësishme për ne, ngase tani jemi barazuar me pikë me Dritën dhe tri ndeshjet e radhes do të jenë tri finale për ne.
Falënderoj shumë bashkelojtarët dhe stafin teknik për mbështetjen qe na japin dhe punën që e bëjmë bashkërisht.
Besoj që Ballkani do të arrijë që ta mbrojë titullin kampion dhe më pas na pret një punë e madhe në ndeshjet e Evropës për ta ripërsëritur suksesin e vitit të kaluar”, tha Lumbardh Dellova për faqen zyrtare të FFK-së”.
/GazetaBlic Sport


