Sporti

Zyrtare: Koke rinovon kontratën me Atletico Madridin

06/03/2025 10:22
nga:Lorik J

Futbollisti spanjoll Jorge Resurreccion, i njohur më mirë me nofkën Koke, ka zgjatur kontratën e tij me klubin e Atletico Madridit për një sezon tjetër deri më 30 qershor 2026, njoftoi faqja zyrtare e klubit.

Kontrata aktuale e 33-vjeçarit Koke përfshin një klauzolë zgjatjeje njëvjeçare në fund të çdo sezoni, të cilën të dyja palët kanë rënë dakord ta aktivizojnë.

Mesfushori spanjoll debutoi për ekipin e parë të Atletico Madrid më 19 shtator 2009 dhe që atëherë është bërë lojtari me më shumë paraqitje në historinë e klubit – 681.

Koke ka fituar tetë trofe me Atleticon deri më sot – dy tituj të La Ligës, një Kupë të Mbretit, dy Liga të Evropës, dy Superkupa UEFA dhe një Superkupë Spanjolle – gjë që e vendos atë menjëherë pas Adelardos, i cili fitoi dhjetë trofe gjatë kohës së tij në klub.

/GazetaBlic Sport