Federata Shqiptare e Futbollit ka zyrtarizuar vazhdimin e bashkëpunimit me stafin aktual të Kombëtares, duke konfirmuar vazhdimësinë e projektit teknik që ka sjellë rezultate historike për futbollin shqiptar.
Trajneri Sylvinho, së bashku me zëvendëstrajnerët Pablo Zabaleta dhe Dorival, kanë rinovuar kontratat me FSHF-në deri në korrik 2026, me synimin madhor, kualifikimin e parë historik të Shqipërisë në fazën finale të Kupës së Botës.
Sipas njoftimit të FSHF-së, ky vendim pasqyron besimin e plotë në stafin aktual, filozofinë e punës së ndërtuar ndër vite, si dhe angazhimin për stabilitet, vazhdimësi dhe objektiva ambicioze në të ardhmen.


