Skuadra e Dukagjinit ka mbetur pa trajner pas barazimit 1-1 me Prishtinën e Re.
Ndue Përgjokaj para pak minutave ka njoftuar se nga sot ai nuk është më trajner i klubit nga Klina, shkruan GazetaBlic Sport.
Përgjokaj ka falënderuar gjithë ekipin, teksa thotë se po largohet me kokën lart, me ndërgjegje të pastër dhe me krenari që ka dhënë kontributin me dinjitet, përgjegjësi dhe karakter.
Ja postimi i tij:
“Sot përfundon zyrtarisht bashkëpunimi im me KF Dukagjini.
Dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për mundësinë, besimin dhe përgjegjësinë që më është dhënë gjatë kësaj periudhe për të qenë pjesë e këtij institucioni.
Një falënderim i veçantë shkon për Presidentin e klubit, Fabian Veseli, si dhe për Drejtorin Sportiv, Korab Desku, për besimin dhe korrektësinë e treguar.
Po ashtu, falënderoj me respekt të veçantë stafin: Valmir Bytyqi,Ahmet Haliti,si dhe të gjithë lojtarët e KF Dukagjini, për bashkëpunimin, përkushtimin dhe respektin e ndërsjellë në çdo etapë të këtij rrugëtimi.
Një falënderim i veçantë shkon edhe për tifozët, të cilët kanë qenë gjithmonë një forcë e rëndësishme dhe mbështetje e vazhdueshme për klubin.
Gjatë kësaj kohe kam punuar me profesionalizëm, ndershmëri dhe përkushtim maksimal, duke dhënë gjithçka nga vetja në shërbim të ekipit dhe objektivave të klubit.
Largohem me kokën lart, me ndërgjegje të pastër dhe me krenarinë që kam dhënë kontributin tim me dinjitet, përgjegjësi dhe karakter.
Futbolli sjell sfida, vendime dhe ndryshime, por vlerat e punës, respektit dhe karakterit mbeten gjithmonë.
KF Dukagjinit i uroj suksese në vazhdim dhe vetëm më të mirat në rrugëtimin e tij të ardhshëm.
Faleminderit për gjithçka”, shkruhet në postim.
/GazetaBlic Sport


