Sporti

Zyrtare/ De Zerbi zgjedh Francën, firmos për tre sezone me klubin e ri

06/25/2024 10:00
nga:Sh R

Roberto De Zerbi përfundon në Francë. Trajneri Italian, që për disa kohë u përfol si alternativë për të drejtuar Bayernin e Mynihut apo Barcelonën, do të ulet në stolin e klubit të Marseille në Ligue 1, në eksperiencën e tij të parë në Francë.

Ka qenë vetë klubi francez që nëpërmjet një komunikate zyrtare, ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes mes palëve për të firmosur një kontratë të vlefshme deri në verën e 2027-ës.

“Klubi i Marseille ka arritur marrëveshjen me trajnerin italian Roberto De Zerbi, i cili do të qëndrojë në pankinë deri në verën e 2027-ës”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e klubit francez.

De Zerbi u largua në fund të sezonit nga anglezët e Brighton, të cilët do të përfitojnë rreth 6 milionë euro nga prishja e parakohshme e kontratës, para të cilat do t’i paguajë pikërisht Marseille.

Klubi francez është i shtati në karrierë për italianin, që e ka nisur eksperiencën e tij te Foggia, për të vijuar më pas me Palermon, Beneventon, Sassuolon, Shakhtar Donetsk e së fundi Brighton në Premier League, ku bëri mjaft mirë.