Sporti

Zyrtare: Chelsea kompleton transferimin e mbrojtësit francez

01/05/2023 17:06
nga:E K

Drejtuesit e Chelsea-t janë duke punuar intensifikisht për të nënshkruar me Enzo Fernandez nga Benfica, me mesfushorin që shkëlqeu në Kupën e Botës së Katarit, aty ku u shpall kampion me Argjentinën.

Megjithatë, londinezët nuk “lënë pas dore” edhe mundësitë e tjera që ofron merkato dhe së fundmi, zyrtarizuan transferimin e mbrojtësit Benoit Badiashile. Për kartonin e 21-vjeçarit, “Blutë e Londrës” shpenzuan 35 milionë paund, para që shkojnë në arkën e klubit të Ligue 1, Monaco.

Ndërkohë, ajo që bie në sy është kontrata afatgjatë që Badiashile ka firmosur me Chelsean, teksa bëhet fjalë për një kontratë prej 7.5 vitesh. Pritshmëritë janë të larta për lojtarin në fjalë, i cili me Monaco grumbulloi plot 135 prezenca ndërsa është grumbulluar edhe në dy raste nga trajneri i kombëtares së Francës, Didier Deschamps.

Në prezantimin e tij me fanellën e Chelsea-t, Badiashile u shpreh se ishte shumë i lumtur për aventurën e re ndërsa shtoi se është duke numëruar orët që e ndajnë nga aktivizimi në ligën më të fortë europiane, Premier League.