Sporti

Zyrtare: Barcelona vazhdon kontratën me portierin Pena

05/09/2023 16:23
nga:Mergim Rreci

FC Barcelona dhe Inaki Pena kanë arritur një marrëveshje për të zgjatur kontratën e portierit deri më 30 qershor 2026. Klauzola e blerjes është vendosur në 400 milionë euro.

Lojtari nënshkroi kontratën e re të martën në mëngjes në zyrat në Spotify Camp Nou në prani të presidentit Joan Laporta, përcjell GazetaBlic Sport.

Ende pa debutuar në ekipin e tij të parë, në janar 2022, Pena shkoi në huazim te Galatasaray për pjesën e mbetur të sezonit, ku luajti gjashtë ndeshje në ligën turke dhe dy në Europa League, të dyja kundër Barçës, duke mbajtur portën e pastër në ndeshjen e parë në Spotify Camp Nou.

Ai u rikthye te Barça në fund të sezonit dhe 3 janarin e kaluar u bë zyrtarisht pjesë e ekipit të parë. Në nëntor, ai më në fund kishte bërë debutimin e tij zyrtar në një ndeshje të Champions League kundër Viktoria Plzen.

Ai gjithashtu është paraqitur në dy ndeshje të Copa del Rey këtë sezon, kundër Intercity dhe Ceuta. Tani 24 vjeç, ai ende pret të luajë ndeshjen e tij të parë për Barçën në Spotify Camp Nou.