Sporti

Zyrtare: Amir Rrahmani mungon kundër Suedisë

09/07/2025 08:04
nga:Lorik J

Kapiteni, Amir Rrahmani do të mungojë në ndeshjen e nesërme ndaj Suedisë.

Kombëtarja e Kosovës në futboll nesër do të luajë ndaj Suedisë në ‘Fadil Vokrri’, në kuadër të xhiros së dytë të grupit për kualifikime në Kupën e Botës 2026, shkruan GazetaBlic.

Rrahmani pësoi lëndim në ndeshjen ndaj Zvicrës, me ç’rast edhe u zëvendësua nga loja, teksa nuk ka arritur të jetë gati për nesër.

Ja njoftimi i FFK-së:

“Amir Rrahmani mungon në ndeshjen kundër Suedisë

Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, nuk do të jetë në dispozicion për ndeshjen e radhës kundër Suedisë, e cila zhvillohet, të hënën, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026.
Përkundër dëshirës së madhe për të qenë në fushë, pas ekzaminimeve të detajuara mjekësore është konstatuar se Rrahmani e ka të pamundur të paraqitet në këtë ndeshje për shkak të lëndimit të pësuar në ndeshjen e së premtes kundër Zvicrës në Bazel.
Si rrjedhojë, kapiteni është liruar nga grumbullimi me ekipin kombëtar për t’u kthyer në klubin e tij, ku do të vazhdojë trajtimin mjekësor me qëllim që të rikuperohet sa më shpejt dhe të rikthehet në fushë, për të qenë gati më pas edhe për ndeshjet e muajit tetor me fanellën dardane kundër Sllovenisë dhe Suedisë”, shkruhet në postimin e tyre.

/GazetaBlic Sport