Lajme

Zyra për Kosovën pas dënimit të Zoran Gjokiqit: Shembull i “politikës anti-serbe” të Prishtinës

03/30/2022 17:08
nga:Astrit Gashi

Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, vlerësoi se refuzimi i kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë nga Gjykata Supreme në Prishtinë, e cila në rastin e Zoran Gjokiqit, i akuzuar për krime lufte, ka konfirmuar dënimin e mëhershëm prej 12 vitesh burg, është shembull se serbët në Kosovë nuk kanë një gjykim të drejtë.

“Vendimi i të ashtuquajturës Gjykatë Supreme të Prishtinës për refuzimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë në rastin e serbit nga Peja, Zoran Djokiq, është një tregues tjetër i politikës antiserbe të Prishtinës dhe shembull se serbët në Kosovë nuk gëzojnë të drejta për një gjykim të drejtë”, thuhet në komunikatën e zyrës.

Sipas Zyrës, përkundër faktit se Gjokiqit i janë shkelur të drejtat e shumta procedurale gjatë gjykimit dhe asnjë dëshmitar përkatës nuk e ka njohur atë si autor, ai është dënuar me 12 vjet burg.

“Avokati i tij mbrojtës ka shpjeguar tërësisht të gjitha shkeljet e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të drejtën për të mbrojtur Gjokiqin, por e ashtuquajtura Gjykata Supreme vetëm e rishkruan arsyetimin e instancave të mëparshme gjyqësore, duke i injoruar ato mangësi procedurale. Kjo tregon se serbët në Kosovë janë futur në një rreth të përndjekjes vetëm se kanë emër dhe mbiemër serb”, u theksua më tutje.

Avokati i punësuar nga Zyra për Kosovë do të shfrytëzojë mundësinë e fundit ligjore, ndërsa Zyra për Kosovë do t’i informojë të gjithë përfaqësuesit relevant ndërkombëtarë në Kosovë për këtë aktgjykim, thuhet në njoftim.