Zyra Ndërlidhëse e Greqisë në Prishtinë ka sqaruar se vetëm karateistët kosovarë që nuk kanë pasë viza Schengen nuk janë lejuar të hyjnë në Greqi për të marrë pjesë në Kampionatin Mesdhetar të Karatesë, derisa ata që kanë pasë nuk janë ndaluar.
Në reagimin e kësaj zyre gjithashtu thuhet se disa sportistë nuk kanë pasur dhe nuk kanë aplikuar për vizën greke/Schengen, shkruan lajmi.net.
“Duke iu referuar disa raportimeve në media, Zyra Ndërlidhëse e Greqisë në Prishtinë deklaron se dje një ekip i karateistëve kosovarë ka hyrë në Greqi përmes kufirit rrugor me Maqedoninë e Veriut në mënyrë që të marrin një fluturim drejt Qipros për të marrë pjesë në Kampionatin e 28-të Mesdhetar të Karatesë që mbahet në Limassol. Megjithatë, disa sportistëve prej të njëjtit grup i është ndaluar hyrja në Greqi pasi ata nuk kishin (dhe nuk kishin aplikuar) për vizën greke/Schengen”, thuhet në njoftimin e kësaj zyre për media.
Kjo zyrë thotë se “të gjithë karateistët që kanë pasë, ose s’kanë pasë nevojë, për viza Schengen kanë hyrë në Greqi pa problem”
“Ne besojmë fuqishëm se ngjarjet sportive ndërkombëtare, në një frymë pozitive sportive, janë një mundësi e mirë që të bashkojnë njerëzit në rajonin tonë dhe përreth botës. Shumë sportistë kosovarë nga sporte të ndryshme janë mirëpritur në Greqi në shumë ngjarje sportive”.
Në ndërkohë trajneri i ekipit të Kosovës në karate, Alban Beqiri, ka thënë dje për Klan Kosovën se ekipi i karateistëve që ishin nisur drejt Greqisë ishin pajisur me viza Schengen të Greqisë në Beograd, por megjithatë nuk u lejuan të hyjnë në Greqi përmes kufirit me Maqedoninë e Veriut.
Ai gjithashtu ka thënë se vetëm një numër i vogël i ekipit prej 35 vetash që kishin viza Schengen janë lejuar të hyjnë në Greqi, derisa sqaron se ai dhe selektori i ekipit të karatesë kanë shkuar në Greqi një ditë më herët dhe të njëjtit kishin hasur gjithashtu në probleme në kufirin me Maqedoninë e Veriut.