Pas shpalljes së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovë për kriminelin serb Zoran Gjokiq, nuk mungoi reagimi i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën me propagandë dhe kërcënime të zakonshme ndaj institucioneve të Kosovës.
“Vendimi i Gjykatës Supreme të Kosovës në procedurë kundër serbit nga Peja, Zoran Gjokiq, është tregues i politikës antiserbe dhe shembull se serbët në Kosovë nuk kanë të drejtë për gjykim të drejtë”, pretendohet në kumtesën e të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën.
“Përkundër faktit se Gjokiqit i janë shkelur të drejtat e shumta procedurale gjatë gjykimit dhe asnjë dëshmitar relevant nuk e identifikoi atë si autor, ai u dënua me 12 vjet burg. Avokati i tij mbrojtës shpjegoi tërësisht të gjitha shkeljet e të drejtës për gjykim të drejtë dhe Gjykata Supreme vetëm ka kopjuar shpjegimin e instancave të mëparshme gjyqësore, duke i anashkaluar ato mangësi procedurale”, thuhet në kumtesën e dërguar për media.
Në të ashtuquajturën zyre serbe pretendohet se serbët në Kosovë janë futur në “spiralen e heqjes së të drejtës dhe persekutimit të Prishtinës vetëm sepse mbajnë emrin dhe mbiemrin serb”.
“Avokati i punësuar nga kjo zyre do të shfrytëzojë mundësinë e fundit ligjore do t’i informojmë të gjithë përfaqësuesit relevant ndërkombëtarë në Kosovë për këtë aktgjykim”, përfundon komunikata me kërcënim.


