Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj është duke dëshmuar në Gjykatën Speciale në Hagë në cilësinë e dëshmitarit.
Gjatë dëshmisë së tij ai ka përmendur edhe Presidenten e vendit, Vjosa Osmani, të cilës i është referuar me termin “e ashtuquajtura”, derisa ka shtuar se është larguar dhunshëm e brutalisht nga ajo, nga pozita e ambasadorit.
“Së fundi kam qenë ambasador por jam larguar dhunshëm, brutalisht, dhe politikisht nga ana e ashtuquajturës presidente Osmani për qëllime politike sepse në vend timin e ka dërgu burrin e saj”, ka thënë Dedaj.
Por, ndaj kësaj deklarate kanë reaguar nga Zyra e Presidentes Osmani.
Bekim Kupina, këshilltari për media i Presidencës ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke thënë se Dedaj ka zgjedhur Specialen për të përhapur gënjeshtra.
Kupina ka thënë se Osmani ka më së shumti legjitimitet në historinë e Kosovës, dhe nuk është ashtu e “ashtuquajtur”, siç e ka cilësuar Dedaj dhe Serbia.
Ai tutje ka thënë se nuk e ka hequr Osmani nga pozita e ambasadorit, por Dedajn e kanë hequr shkeljet që ai ka bërë.
“Gjergj Dedaj paska zgjedhur Gjykatën Speciale për të përhapur gënjeshtra lidhur me Presidenten Osmani, duke e quajtur me të njëjtat fjalë sikurse Serbia. Presidentja Osmani nuk është “e ashtuquajtur”, siç e cilëson Serbia dhe ti Gjergj, por ka më së shumti legjitimitet në historinë e Kosovës. Ti e di këtë, por s’të pëlqen ky fakt. Prandaj sot e bëre atë që di më së miri: gënjeve. Së pari, Presidentja Osmani nuk të ka hequr ty për ta emëruar bashkëshortin e saj. Të hoqën shkeljet e tua. Së dyti, bashkëshorti i saj as nuk ka qenë e as nuk është ambasador, ndaj ti jo që s’e di, por ama të pëlqen gënjeshtra si mjet viktimizimi. Ti je veç një përfitues nga gënjeshtra! Ne ende jemi në pritje të drejtësisë për kërcënimet me jetë që i ke bërë publikisht ndaj Presidentes dhe familjes së saj”, ka shkruar Kupina në Facebook.
Dedaj thotë se ka trauma: Nganjëherë nëse më pyesni si e kam emrin, mund të mos e di
Dedaj “nervozohet” me pyetjet e Prokurores: Po ma shkatërroni jetën