Nga zyra e kryeministrit Kurti kanë reaguar për herë të parë për meshën e mbajtur të martën në Kishën tek Universiteti i Prishtinës, për herë të parë që nga viti 1998.
Luan Dalipi, shef i kabinetit të Kurtit me anë të disa postimeve në Twitter ka thënë se ngjarja në fjalë është bërë me qëllimin e vetëm të provokimit nga shteti serb përmes Kishës.
“Kosova është krenare me tolerancën e vet fetare të të gjitha besimeve, të zbatuar përditë në tërë tokat e saj. Qëllimi i qeverisë serbe është që të provokojë përmes Kishës Ortodokse Serbe duke mbajtur një liturgji brenda terrenit të Universitetit të Prishtinës, në një objekt të papërfunduar”, ka shkruar ai.
Ai i ka bërë thirrje qeverisë së Serbisë që të ballafaqohet me të kaluarën dhe të mos nxis trazira.
Për këtë, ai ka përdorur edhe një shprehje figurative.
“Ne i bëjmë thirrje qeverisë serbe që të ballafaqohet me të kaluarën e vet e jo të përpiqet që t’i avancojë agjendat e veta politike nën mantelin e besimit. Porosia jonë për ta është që të mos qajnë si për ujkun (shprehje figurative: kur dikush kërkon ndihmë pa nevojë e pastaj nuk i besohet kur vërtet ka nevojë), të ndalet së nxituri trazira dhe në vend të kësaj, të përqendrohet në hapjen e një kapitulli të ri të paqes duke e njohur shtetësinë e Kosovës. Ne i falënderojmë qytetarët që shfaqën pjekuri duke e mbajtur qetësinë dhe duke shmangur çfarëdo provokimi”, ka thënë ai.
Dalipi në postimet e tij ka nënvizuar faktin se objekti i kishës është ndërtuar me forcë gjatë regjimit gjenocidial të Millosheviqit.
“Objekti ishte ndërtuar me forcë gjatë regjimit dhe fushatës gjenocidiale të Millosheviqit dhe në fund, studentët dhe mësimdhënësit shqiptarë ishin përjashtuar nga UP-ja dhe qindra shkolla të mesme në tërë Kosovën. Përderisa kombet demokratike angazhohen në debate energjike dhe vlerësime të thella rreth monumenteve që e lartësojnë shtypjen, Serbia përdor relikte të së kaluarës së vet të erret në përpjekje për ta destabilizuar vendin që e pushtoi dhe e shtypi në mënyrë brutale për një shekull, duke kulmuar në gjenocid”, ka shkruar Dalipi.
Ndryshe, të martën në Kishën tek kampusi i UP-së u mbajt meshë nga serbët për herë të parë pas luftës.
Nga qeveria thanë se Policia e Kosovës nuk kishin qenë në dijeni për këtë liturgji, teksa dje aty pati edhe aksione nga PSD si dhe nga organizatat studentore.
LEXO EDHE: