Sporti

Zymer Bytyqi para ndeshjes me Suedinë: Atje ka shumë shqiptarë – do të jetë mirë për ne

10/05/2021 23:33
nga:Lorik J

Kombëtarja e Kosovës e ka mbajtur sot seancën e dytë stërvitore në stadiumin “Fadil Vokrri” në kuadër të grumbullimit për dy ndeshjet e muajit tetor kundër Suedisë dhe Gjeorgjisë për kualifikimet e Botërorit “Katari 2022”.

Zymer Bytyqi, futbollisti i Kosovës ka folur pas stërvitjeve ku ka theksuar se atmosfera tek kombëtarja është e mirë, shkruan GazetaBlic Sport.

Ai tha se Kosova ka gjasa të mira në këto dy takime ndaj Suedisë dhe Gjeorgjisë.

“Atmosfera është e mirë. Kemi ardhur me energji të re, djemtë kanë ardhur nga klubet e tyre kanë bërë punë të mirë dhe luajtën mirë ndaj Spanjës. Atë energji pozitive e kemi marrë me vete për ndeshjet kundër Suedisë dhe Gjeorgjisë. Suedia bazohet në lojë fizike dhe kanë shumë lojtarë që duhet pasur kujdes. Nëse arrijmë t’i ndalim sulmuesit dhe mesfushorët kemi gjasa të mira. Në Skandinavi ka shumë shqiptar dhe do të jetë mirë për ne”.

/GazetaBlic Sport