Sporti

Zyba deklarohet pas transferimit në Poloni: Ëndërr, do të jem pjesë e Legias për tre vite

02/11/2024 23:44
nga:E K

Futbollisti Qëndrim Zyba bëri një hap gjigant në karrierë duke u transferuar në afatin e dimrit te Legia e Varshavës.

Zyba, i ftuar në “Sports Show” në Klan Kosova, tregoi që në Varshavë ka gjetur kushte të tjera, teksa tha se do të ketë kontratë për tre vite.

Mesfushori kosovar fillimisht do të jetë i huazuar deri në fund të sezonit, pasi sipas tij, kjo ishte marrëveshja fillestare në mes dy klubeve, atij të Ballkanit dhe të Legias.

“Kur kam arritur këtu është klubi më i madh në Poloni është diçka për mua si të them ëndërr, jam befasuar nga shumë gjëra, nga tifozët, kushtet këtu, rregullat e klubit janë diçka të jashtëzakonshme dhe jam shumë i lumtur që jam këtu. Po ndjehem si në shtëpi time”, është shprehur Zyba në Sports Show në Klan Kosova.

“Më të vërtetë është një qytet i jashtëzakonshëm tepër i bukur, sa i përket ushqimit e kam gjithmonë në klub, nuk kam nevojë që të dalë jashtë”, vazhdoi ai.

“E kemi pasë një problem që na ka dalë rrugën por e kemi rregulluar me Ballkanin dhe me Legian, jam i huazuar deri verës, dhe me dy vite e gjysmë kontratë. Unë do të jem pjesë e Legias për tri vite dhe dua të jap gjithçka dhe të performoj sa më mirë që t’i ndihmojë klubit në ambiciet që ka”.

Ish-futbollisti i Ballkanit foli edhe në lidhje për trajnerin Ilir Daja, për të cilin tha se ka mësuar shumë gjëra.

“Të teston karakterin dhe të sheh sa i je i gatshëm për klubin, cdo ditë mëson gjëra nga ai. Unë them që është trajner që kam mësuar shumë nga ai. Edhe nga Zekirja dhe Dallku, kam mësuar shumë”, tha Zyba.

Zyba bëri karrierë në futbollin e Kosovës te skuadra e Prishtinës dhe Ballkanit, duke fituar titullin e kampionit.