Lajme

Zvogëlohen listat e pritjes për operacione në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK

10/22/2024 16:55
nga:Sh R

Listat e pritjes për operacione në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK, janë zvogëluar.

Kështu ka njoftuar Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës.

Po ashtu, në njoftimin e tyre thuhet se ky sukses është arritur falë punës, përkushtimit të stafit, por edhe mbështetjes nga institucioni.

“Në nëntë mujorin e parë të këtij viti, janë kryer mbi 1 mijë operacione, në dy salla të operacionit, ngase sallat e tjera nuk janë funksionalizuar për shkak të mungesës së anesteziologëve. Salla e tretë përdoret kur ka nevojë për intervenime të Klinikës së Pediatrisë, Mjekimit Intenziv Pediatrik, Neurokirurgjisë, ORL-së dhe klinikave të tjera. Ndërsa në sallën e katërt kanë operuar mjekët amerikanë dhe turq për rastet kardiokirurgjike tek fëmijët, dhe këto shifra nuk janë përfshirë në numrin e përgjithshëm të operacioneve. Në këtë klinikë ka vazhdimisht progres në zhvillimit e procedurave të reja diagnostike dhe terapeutike, tani punohet edhe me laparoskop një gamë e gjerë e operacioneve, poashtu, litotripsia laserike, ureterorenoskopia, dhe së shpejti fillon endoskopia e traktit”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.

Aty thuhet se derisa dikur lista e pritjes ishte mbi 1 vit, tashmë kjo listë është nën katër muaj, falë përkushtimit nga 14 kirurgët e fëmijëve, anesteziologët dhe stafi tjetër i infermierëve dhe atyre mbështetës.