Sporti

Zvicra votoi kundër pranimit të Kosovës në UEFA, ja çfarë ndodhi në vitin 2016

03/29/2022 09:04
nga:Lorik J

Kombëtarja e Kosovës sonte do të ballafaqohet me Zvicrën me fillim nga ora 18:00 në stadiumin “Letzigrund” në Zurich.

Në këtë ballafaqim Kosova është mysafir i Zvicrës – mirëpo pritet që stadiumi të “pushtohet” nga tifozëtr shqiptarë që jetojnë në Zvicër dhe shtetet fqinje, përcjell GazetaBlic Sport.

Ky ballafaqim është diskutuar shumë, pasi në të kaluarën kemi pasur shumë kujtime me këtë kombëtare.

Sipas mediumeve, përfaqësuesit e Federatës së Futbollit të Zvicrës në vitin 2016 votuan kundër pranimit të Kosovës në UEFA!

Çka ndodhi?

Në vitin 2016, para hedhjes për votim të pranimit të Kosovës, kreu i Federatës së Futbollit kosovar, tashmë i ndjeri, Fadil Vokrri kërkoi nga vendet anëtare që të mos penalizojnë futbollin dhe të ndjekin shembullin e organizatave të tjera sportive që kanë njohur Kosovën.

Zvicra u rreshtua kundër anëtarësimit, pasi sipas, përfaqësuesit të saj, anëtarësimi i Kosovës do të ndikojë në të ardhmen e futbollistëve të kombëtares së vet dhe në statusin e tyre.

Frikës së Zvicrës iu përgjigj kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, por duke i dhënë prioritet futbollit.

“Kosova tashmë është një realitet që luan futboll, organizon kampionate brenda, ka skuadrat e veta dhe federatën e vet që nuk ka lidhje me federatën serbe. Edhe ne kemi futbollistë me origjinë nga Kosova dhe frika se mund t’i humbim ata nuk është me rëndësi për ne, me rëndësi është që të mendojmë për futbollin dhe vetëm për futbollin”, është shprehur Duka.

Megjithatë në fund, përpjekja e Serbisë dhe Zvicrës për të penguar pranimin e kombëtares së Kosovës në instancat më të larta të futbollit evropian dëshuan.

Kosova u pranua në UEFA me 28 vota pro, e 24 kundër.

Vokrri pas pranimit të Kosovës në UEFA kishte deklaruar: “Jam shumë i prekur. Ju falënderoj para së gjithash në emër të lojtarëve të rinj të vendit tim për këtë vendim. Kjo është një ditë historike për ne”.