Sporti

Zulfiu: Kampionatin e nisëm me humbje, ndaj Llapit hyjmë për rezultat pozitiv

08/18/2023 12:29
nga:E K

Sezoni i ri në Superligën e Kosovës filloi në fundjavën e kaluar.

Në xhiron e parë u zhvilluan katër ndeshje, kurse ndeshja mes Gjilanit dhe Fushë Kosovës nuk u zhvilua, shkruan GazetaBlic Sport.

Skuadra e Dukagjinit e nisi me humbje kampionatin ku pësuan në shtëpi me rezultat 0-1 nga Malisheva, kurse lojtari i kësaj skuadre, Iljasa Zulfiu në një prononcim për “GazetaBlic Sport” tha se skuadra e Dukagjinit do të përpiqet që sa më shpejt të marrë fitoren e parë të këtij sezoni.

“Kampionatin e nisëm me humbje, por shpresoj që sa më shpejt të kthehemi te rezultatet pozitive. Në ndeshjen me Llapin do të shkojmë për rezultat pozitiv“, tha fillimisht ai.

Zulfiu komentoi edhe objektivat e skuadrës për këtë sezon si dhe paraqitjen e tyre në kualifikimet të Europa Conference League.

“Shpresoj që të arrijmë edhe këtë sezon atë që arritëm vitin e kaluar, për ne ishte e rëndësishme që të paraqitemi mirë në Conference League dhe të kalonim raundin e parë të rrethit kualifikues“, përfundoi Zulfiu për GazetaBlic Sport.