Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka mbajtur mbledhjen e parë të Bordit për vitin 2026, ku ka shqyrtuar kërkesën e ALPEX-it për përcaktimin e të hyrave dhe tarifave të NEMO për periudhën 2026–2028.
Zyra ka vendosur që lista e tarifave për Kosovën të mbetet e pandryshuar, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për rritje të tarifave të energjisë.
Muharrem Gashi, udhëheqës i Departamentit të Tarifave në ZRrE, ka bërë të ditur se të hyrat e propozuara përfshijnë kostot operative, amortizimet, kapitalin e punës dhe tarifat e licencës, duke shënuar 669,028 euro për 2026, 712,410 euro për 2027 dhe 835,613 euro për 2028.
Ai tha se struktura e të hyrave dominohet kryesisht nga kostot operative, ndërsa rritja e tyre lidhet me volumin e energjisë dhe jo me tarifat. Ai ka sqaruar gjithashtu se tarifat e NEMO-s nuk përfaqësojnë çmimet e energjisë në bursë, të cilat formohen automatikisht nga platforma e tregtimit sipas ofertave dhe kërkesës së pjesëmarrësve për çdo ditë dhe orë.


