Lajme

ZPS për dëshmitarin e 85-të: Është ish-anëtar i UÇK-së

09/16/2024 11:31
nga:G B

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 85-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) me kodin W04737 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ky dëshmitar është duke dëshmuar me masa mbrojtëse dhe sipas përmbledhjes së lexuar nga përfaqësuesi i ZPS-së, Matt Halling, ai është ish-anëtar i UÇK-së.

“Dëshmitari 04737 është një ish-anëtar i UÇK-së nga Zona Operative e Pashtrikut. Ai do të jep dëshmi lidhur me veprimtaritë gjatë luftës dhe strukturës së komandës në këtë brigadë”, tha Halling, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas kësaj, pyetjet për dëshmitarin i ka filluar në seancë private prokurori Halling dhe sipas kryetarit të trupit gjykues, pyetjet e tij pritet të zgjasin rreth dy-tri orë.

Kryegjyqtari tha se për ekipet e mbrojtjes së të akuzuarve janë paraparë rreth gjashtë orë e gjysmë për kundërpyetjet e tyre.

Gjithashtu sallën e gjyqit u përmend që ky dëshmitar pritet që të dëshmojë një apo deri në dy ditë.

Ndryshe, përpara se të fillojë dëshminë ky dëshmitar, seanca kaloi në sesion privat për publikun.