Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), përmes një parashtrese drejtuar gjykatësit paraprak, ka kërkuar që Pjetër Shalës t’i vazhdohet masa e paraburgimit.
Sipas ZPS-së, vazhdimi i paraburgimit të tij mbetet i nevojshëm dhe proporcional
“Vazhdon të ekzistojë dyshimi i bazuar se i akuzuari ka kryer krime brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara (‘DHK’) dhe rreziqet që i akuzuari, nëse lirohet, do të arratiset, do të pengojë mbarëvajtjen e procedurës ose do të kryejë krime të mëtejshme, duke përfshirë kundër dëshmitarëve të cilët i kanë ofruar dëshmi ZPS-së dhe/ose do të paraqiten para Dhomave të Specializuara, janë shtuar edhe më shumë dhe mbeten të larta”, thuhet në shkresë të prokurorisë.
Tutje, thuhet se rreziqet mund të zbuten dhe menaxhohen në mënyrë efektive vetëm përmes mbajtjes në objektet e paraburgimit të Dhomave të Specializuara.
Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi
“Ministri Murati duhet të largohet, Albin Kurti duhet të japë dorëheqje”


