Sporti

‘Zotohet’ Albin Kurti: 200 milionë euro investim për transformim të infrastrukturës së futbollit!

04/21/2024 11:11
nga:Lorik J

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka potencuar se po punohet për transformim të infrastrukturës së futbollit në një plan pesë vjeçar, ku do investohen 200 milionë euro!

Dihet se infrastuktura e futbollit në vendin tonë është larg pritshmërive, andaj Kurti ka theksuar se po punojnë në këtë çështje mjaft të rëndësishme, përcjell GazetaBlic.

Në një postim në Facebook, Kurti thotë se po punohet në rindërtimin e fushës në stadium “Fadil Vokrri”, teksa punimet po vazhdojnë edhe në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Sipas Kurtit, do invesohet edhe në Pejë, Gjilan, Gjakovë – Prizren, Malishevë, Ferizaj, Vushtrri, Kamenicë – Podujevë e Drenas.

Ja postimi i Kurtit:

“200 milionë euro për transformim rrënjësor të infrastrukturës së futbollit.

Jemi të vendosur, stadiumet po bëhen. Me këtë vëllim, buxhet e seriozitet nuk është trajtuar asnjëherë futbolli.

Kemi nisur rindërtimin e tërësishëm të fushës së stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Punimet vazhdojnë në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Për përfundimin e punimeve në stadiumin e qytetit të Gjakovës kemi zotuar nëntë milionë euro. Po hartohen projektet për renovimin e stadiumit të Pejës dhe ndërtimin e stadiumit të ri të Ferizajit. Për stadiumin e Gjilanit po zhvillohen procedurat e prokurimit për zbatimin e punimeve, ndërsa shumë shpejt nisim procedurat për fazën e fundit të punimeve në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren.

Punimet janë duke vazhduar edhe në stadiumet e Malishevës e Shtimes, si dhe në fushat ndihmëse në Bërnicë, Gjilan, Raushiq, Studençan, Komoran dhe Kllokot.

Janë shpallur procedurat për hartim të projekteve për stadiumet e reja të Suharekës dhe Rahovecit.

Pjesë e planit tonë pesë-vjeçar është edhe renovimi i stadiumeve në Vushtrri, Kamenicë, Mitrovicë (Riza Lushta), Podujevë dhe Drenas.

Vlera totale e investimeve tona në infrastrukturën e futbollit është afër 200 milionë euro. Gjatë këtij viti nisim procedurat për stadiumin nacional të Kosovës.
Plani ynë pesë vjeçar për infrastrukturën e futbollit është dakordim mes qeverisë, komunave dhe Federatës së Futbollit. I njëjti i është prezantuar edhe FIFA-s dhe UEFA-së dhe mbështetet nga ta”, shkruhet në postimin e Kurtit.