Lajme

Zogaj: Kosova në krizë politike, marrëdhëniet me BE-në e ShBA-në të tensionura!

09/23/2025 08:13
nga:Y I

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj, ka deklaruar se Kosova ndodhet në një situatë të rëndë politike dhe institucionale, duke theksuar se marrëdhëniet me partnerët kryesorë ndërkombëtarë, përfshirë BE-në dhe ShBA-në, janë të tensionuara.

Ai e cilësoi këtë si cenim të shtetësisë dhe sigurisë së vendit.“Marrëdhëniet tona me partnerët ndërkombëtarë janë në nivelet më të larta që ka pasur ndonjëherë Kosova.

Jemi nën sanksione nga BE-ja, po ashtu jemi nën sanksione edhe nga partneri kryesor ShBA dhe kjo e cenon gjithë shtetësinë e Kosovës lërë me sigurinë e të tjerat.

Jemi në një situatë ku Kuvendi është pa institucione dhe është e rëndë kjo situatë në shumë rrafshe, edhe sociologjik, politik por edhe të sigurisë,” potencoi Zogaj.

Ai shtoi se distancimi nga aleatët e vendit është i papranueshëm dhe rrezikon të keqësohet gjendja në Kosovë.

“Por prishja e marrëdhënieve me partnerët tanë kryesorë të cilët janë garantues kryesorë të shtetësisë sonë, prishja e marrëdhënieve na dërgon në nivelet më të këqija deri tash,” theksoi ai për EO.

Sipas Zogajt, qeveria aktuale po mohon autoritetin e institucioneve shtetërore.

“Kemi pasur një mohim të institucioneve shtetërore, prej Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës Supreme e deri tek Prokuroria Speciale. Kjo qeveri aktuale nuk po i përgjigjet institucioneve të veta. Marrëdhëniet vetëm sa janë të prishura. Deklarata e fundit e ShBA ka qenë një prej deklaratave më të rënda të shtetit tonë. Ajo ditë ka qenë më fatkeqja për vendin,” deklaroi deputeti i betuar.