Legjenda e futbollit francez, Zinedine Zidane, ka refuzuar mundësinë për të marrë detyrën e trajnerit te Kombëtarja e Algjerisë.
Federata e Futbollit e Algjerisë është në kërkim të një zëvendësuesi duke pasur parasysh se Djamel Belmadi ka dhënë dorëheqjen pas eliminimit zhgënjyes nga faza e grupeve të AFCON.
Zidane është i lindur në Marsejë, por është me origjinë algjeriane.
Sipas “L’Equipe”, ish-trajneri i Real Madridit ishte i kënaqur nga interesimi i treguar ndaj tij. Megjithatë, ai ka refuzuar mundësinë për t’u rikthyer në rolin e trajnerit.
Zidane është trajner i lirë që nga vera e vitit 2021, kur dha dorëheqje nga Real Madridi.
Dihet prej kohësh se 51-vjeçari synonte të merrte drejtimin e Kombëtares së Francës, por trajneri aktual i “Gjelave”, Didier Deschamps, zgjati kontratën deri në vitin 2026.
Zidane u tha se më herët ka refuzuar mundësinë për të trajnuar ekipet kombëtare të ShBA-së dhe Brazilit.
Sa i përket Algjerisë, “L’Equipe” shton se Herve Renard, Vahid Halilhodzic, Vladimir Petkovic dhe Jorge Sampaoli janë duke u konsideruar nga Federata algjeriane.