Qendërmbrojtësi i Kosovës, Lumbardh Dellova pati një paraqitje të shkëlqyeshme ndaj Qipros në fitoren 0:4 në ballafaqimin e Ligës së Kombeve.
Dellova u aktivizua veç në 45 minutat e pjesës së dytë në këtë sfidë – megjithatë arriti të lë gjurmë, duke shënuar golin e fundit të duelit, e të parin të tij me fanellën ‘Dardane’.
Shkak i kësaj paraqitje solide, Dellova arriti të zë vend në formacionin më të mirë të xhiros së dytë të ndeshjeve të Ligës së Kombeve. Dellova u shpreh tejet i lumtur që ishte pjesë e formacionit bashkë me yjet e futbollit europian.
“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e formacionit më të mirë të javës në Ligën e Kombeve, duke parë aty edhe shumë emra të njohur të futbollit europian, jam i gatshëm për përfaqësuesen që ta japë edhe atomin e fundit dhe e respektoj çdo vendim të trajnerit. Sado minuta që të kem në fushë, do japë të gjitha nga vetja, t’i arrijmë objektivat tona dhe të vazhdojmë tutje”, tha fillimisht Dellova për ‘GazetaBlic Sport’.
Më pas, 25 vjeçari tha se do jetë gjithmonë gati për Kosovën – e shpreson që të mbajnë këtë ritëm.
“Siç e dijmë është goli im i parë me përfaqësuesen e Kosovës, jam tej mase i lumtur dhe shpresojë që të vazhdojë kështu”, tha Dellova.
Kujtojmë se Kosova grumbullimin e ardhshëm do ta ketë në tetor, ku do ballafaqohet me Lituaninë dhe me Qipron, me 12 tetor, respektivisht 15 tetor.
/GazetaBlic Sport


