Sporti

Zhvillime të papritura, Interi bllokon transferimin e Brozovic tek Al Nassr

06/30/2023 12:26
nga:Mergim Rreci

Ende nuk mund të vendoset fjala fund në telenovelën e merkatos së Marcelo Brozovic. Kroati më në fund pranoi ofertën e Al-Nassr që i garanton një pagë stratosferike prej 100 milionë eurosh për tre vjet, deri në 2026 si edhe një bonus për firmën.

Por ndërkohë, Interi bllokoi tratativën në menyrë surprizuese dhe arsyeja është pasi arabët pasi kishin rënë dakord për të paguar 23 milionë euro në arkat e zikaltërve, ulën ofertën duke zbritur në 15 milionë euro, duke përfshirë këtu dhe bonuset.

Situata e krijuar natyrisht që nuk ju pëlqen zikaltërve, duke irrituar në veçanti Beppe Marottën. Çështja për sa i përket Interit është e qartë: lojtari mund të largohet vetëm për shifrën për të cilën ishte rënë dakord që në fillim, përndryshe nuk bëhet asgjë.

Ende nuk mund të thuhet nëse transferimi është në rrezik, pasi është shumë e vështirë që një tratativë kaq e avancuar të dështojë, por ndërkohë Inter ka bllokuar gjithçka, dhe ajo që dukej një fakt i kryer, në fakt nuk është e tillë.