Sporti

Zhvillime interesante: Edhe Suedia do ankohet në CAS për takimin Rumani – Kosovë!

11/21/2024 10:54
nga:Lorik J

Kombëtarja e Rumanisë fitoi ndeshjen ndaj Kosovës në tavolinë, me rezultatin 3-0, pasi lojtarët e kombëtares tonë lëshuan fushën – shkaku i thirrjeve raciste nga tifozët rumunë.

FFK nuk është pajtuar me vendimin e UEFA dhe ka njoftuar se do të ankohet në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë.

Rasti i këtij ballafaqimi u ndoq me interesim të madh edhe në Suedi.

Suedezët fituan grupin 1 të Ligës C, me 16 pikë dhe shpresonin që Rumania të mos merrte fitoren në tavolinë. Kombëtarja suedeze fitoi me rezultat 6-0, ndeshjen kundër Azerbajxhanit dhe planifikonte që me pikë të barabarta me Rumaninë të kishte avantazhin e golaverazhit dhe të ishte fitues i grupit të parë në Ligën e Kombeve C, që do t’i ndihmonte edhe në për kualifikime në Kupën e Botës. Katër kombëtaret që nuk marrin dy vendet e para në kualifikuese, ka gjasa për Play Off sërish për Botëror, shkak paraqitjeve në Nations League.

Me fitoren në tavolinë ndaj Kosovës, Rumania e mbyll grupin 2 me 18 pikë, maksimumin e mundshëm dhe ka avantazh ndaj Suedisë.

Zyrtarët suedezë e kanë bërë të qartë se vendimin e UEFA-s për “rastin Rumani – Kosovë 3-0” do ta kundërshtojnë në CAS. Mediumi ‘Fotbollskanalen’ shkroi se “Federata Suedeze e Futbollit ka bërë më parë një apel dhe mbetet e vendosur”.

“Pas fitores së pastër të djeshme, kam pritur njoftimin e UEFA-s lidhur me rezultatin e ndeshjes Rumani-Kosovë. Tani është marrë një vendim, i cili për ne është negativ. Vendimi prek kryesisht skuadrat e përfshira, por ne jemi duke hetuar mundësinë e ndikimit shtesë. Është për të ardhur keq që gjërat që ndodhën jashtë fushës kanë një ndikim në rezultatin sportiv dhe prekin të dyja skuadrat e përfshira, por edhe neve”, tha Kim Kallstrom, menaxher i Federatës Suedeze të Futbollit, sipas burimit të cituar.

/GazetaBlic Sport