Lajme

Zhgënjimi ndërkombëtar/ Eksperti i sigurisë për aksionin në veri: Policia të mos ndikohet nga politika – ja për kë ishte mesazhi i DASH-it

05/21/2024 20:49
nga:G B

Drizan Shala, ekspert i sigurisë, ka komentuar zhgënjimin e ndërkombëtarëve për aksionin e së hënës në veri, ku Policia dhe ATK mbyllën 6 njësi apo zyre të së ashtuquajturës Bankë Postare e Kursimeve, pronare e së cilës është Serbia, e për të cilën institucionet thonë se ka funksionuar ilegalisht.

Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Policia s’duhet të bie pre e ndikimeve politike, duke shtuar se veprime të tilla mund të kemi dhe në ditët e javët në vazhdim, teksa thekson se reagimi i DASH-it është serioz dhe duhet të jetë mesazh për politikën.

“Do të duhet që Policia e Kosovës assesi të mos bie pre e ndikimeve politike dhe të vazhdojë tutje zbatueshmërinë e legjislacionit të aplikuar në Kosovë. Pra, veprime të tilla të ngjashme mund te kemi ditët dhe javët në vijim në forma të ndryshme, por me elemente te caktuara. Por, që niveli politik nuk do të duhej fare të involvohet sepse prandaj po pasohet edhe reagimet e DASH-it, i cili është reagim shumë serioz dhe duhet të jetë mesazh për nivelin politik”, shprehet ai.

Shala vlerëson se mesazhi i DASH-it s’është për Policinë por për MPB-në, derisa DASH-it sipas tij ka frikën e një shkëndije që mund të ndezë një konflikt të ri në veri dhe Kosova të mos jetë shkaktar i tij.

“Mesazhi i DASh-it nuk është për Policinë e Kosovës por është më shumë për ministrin e Punëve të Brendshme, sepse veprime të ngjashëm dhe të tilla nuk do të duhej që të ndërmerren në mënyrë të fshehtë apo klandestin dhe të angazhohen një numër kaq i madh i efektiveve të PK-së në një operacion i cili mund të kishte përfunduar me policë të rendit pa pasur nevojë të involvohen njësitet e specializuara. Sepse dihet që marrëveshja franko-gjermane dhe aneks marrëveshja e përcakton qartazi edhe planin e de eskalimit, dhe veprimet te tilla të njëanshme në këtë kohë të përfaqësimeve të caktuara të rrymave në gjeopolitike dhe gjeostrategjinë dhe tensionet që janë duke u shpërfaqur ne rajon e Ballkani Perëndimor, DASH-i e ka frikën që një shkëndijë mund të ndezë një konflikt i cili pa dyshim mund të ketë pikënisjen qoftë në veri, qoftë në ndonjë vend në rajonin perëndimor. Dhe të mos jetë Kosova shkaktar i këtij problem për të ndikuar ndonjë prishje të ekuilibrit të sigurisë”, thekson eksperti i sigurisë për Gazeta Blic.

Andaj, sipas Shalës, duhet menduar veprimet e tilla se ku na çojnë, pasi veprime të tilla mund të nxiten nga politika që më pas të shkojnë në zgjedhje, por që nuk nevojiten zgjedhjeve nën tensione dhe nën thuprën e DASH-it.

“Në këtë aspekt ne duhet të mendojmë qartazi që veprimet e tilla se ku po na çojnë, në cilin destinacion, sepse nuk na duhen aksione të tilla qoftë si shkaktar i ndonjë ndryshimi politik të Kosovës. Sepse ne e dimë që politika dhe politikanët të cilët janë në qeverisje tentojnë në çdo kusht të kenë ndonjë aksion të ngjashme siç ka qenë vitet e kaluara sa i përket ngritjes së motivit nacional për ta nxitur me pastaj shkuarjen në zgjedhje. Nuk i duhet Kosovës shkuarja në zgjedhje nën masa dhe tensione te caktuara dhe nën thuprën e DASH-it e cila pa dyshim çdo mëngjes është duke na goditur herë duarve, herë fytyrës si pasoj e pamaturisë politike”, deklaron Drizan Shala./Gazeta Blic/

SHBA e BE të zhgënjyera me aksionin në veri/ Krasniqi: Qeveria po na sjell dëme me mos koordinim, veprimet e tilla për qëllime elektorale