Sporti

Zhgënjim te Sociedadi: E dhimbshme, humbëm dy pikë ndaj Interit

09/21/2023 10:50
nga:Mergim Rreci

Real Sociedad zhvilloi një ndeshje shumë të mirë ndaj Interit, kryesoi që prej minutës së katërt, por goli i kapitenit zikaltër Lautaro Martinez tri minuta përpara fundit, vulosi barazimin 1-1 në takimin e parë të grupit D në Champions League.

Trajneri i skuadrës spanjolle, Imanol Alguacil vlerësoi performancën e djemve të tij. Ndërkohë që pas ndeshjes theksoi se Sociedadi humbi dy pikë kundër nënkampionëve të Europës.

“E thashë edhe para ndeshjes që edhe sikur të kishim humbur do të duhej të dilnim nga fusha me këtë mentalitet. Ne përjetuam një mbrëmje të pabesueshme, shpresoj që tifozët dhe klubi të jenë të lumtur.
Ne jemi të lumtur, edhe pse nuk fituam. Të barazosh kundër një ekipi si Interi, është një rezultat i jashtëzakonshëm. Por sa keq që nuk fituam, pasi rezistuam deri në minutën e 80-të dhe bëmë gjithçka që mundëm.

Ndihemi sikur humbëm dy pikë… Bëmë gjithçka që duhej për të fituar ndeshjen. Por, siç thuhet gjithmonë, kur krijon shumë mundësi dhe raste duhet t’i finalizosh me gola.

Na dhemb fakti që nuk fituam, sepse deri dhjetë minuta përpara fundit po luanim një ndeshje që duhet ta fitonim 3-0. Mos harroni që kishim Interin përballë. Ata mbërritën në finale vjet, teksa Milanit i shënuan 5 gola në derbi.

Jemi të gjithë të vetëdijshëm që zhvilluam një ndeshje madhështore. Mbi të gjithë kundër një prej skuadrave më të forta në Champions”, u shpreh tekniku i ekipit bask.