Sporti

Zhgënjen Shkëndija, eliminohet nga garat evropiane pa shënuar gol

07/29/2021 23:01
nga:Lorik J

Zhgënjen Shkëndija e Tetovës, që ndryshe nga sa na kishte mësuar në edicionet e fundit, këtë herë humbi të katër ndeshjet e luajtura në Europë dhe për më tepër, nuk arriti të shënojë asnjë gol të vetëm.

Në stadiumin “Toshe Proeski” të Shkupit, “kuqezinjtë” kishin paralajmëruar përmbysjen e madhe ndaj letonëve të Rigës, pasi kishin humbur ndeshjen e parë me rezultatin 2-0, por nuk arritën të bëjnë asgjë dhe për më tepër, pësuan një tjetër disfatë, këtë herë me shifrat minimale 0-1.

Ernest Gjoka kishte guxuar me hedhjen në fushë të një formacioni sulmues, me dyshen Ibraimi-Hebaj, që mbështetej nga Nafiu e Doriev nga krahët, megjithatë pavarësisht disa tentativave, nuk arritën të shfaqen rrezikshëm në zonën e Rigës.

Nga ana tjetër miqtë bënë një ndeshje të kujdesshme, të ndihmuar edhe nga avantazhi i dy golave, teksa në një kundërsulm në minutën e 52-të, ishte Siosalo që dërgoi topin në rrjetën e portës së Zahov, duke vulosur kualifikimin e të tijve dhe “vrarë” shpresat e Shkëndijës.

Klubi shqiptar nga Tetova i jep fund kështu aventurës europiane me një paraqitje tërësisht për t’u harruar, teksa pas eliminimit në Ligën e Kampionëve nga sllovenët e Mura-s, patën të njëjtin fat edhe në turin e dytë eliminator të Ligës së Konferencës, përballë letonëve të Rigës.
/alsatm