Lajme

“Zgjidhje para 1 shtatorit”, Fetahu: Kosova të mos tërhiqet për targat – qëllimet e takimeve Escobar-Lajçak me opozitën

08/25/2022 15:08
nga:G B

Të martën dhe të mërkurën, gjatë vizitës së tyre në Kosovë, i dërguari i posaçëm për dialogun, Gabriel Escobar, njëherësh Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit dhe i dërguari i BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak janë takuar me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti dhe krerët e opozitës.

Lidhur me vizitën, takimet e tyre dhe mesazhet, Arbër Fetahu Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), thotë për Gazeta Blic se ajo ishte për menaxhim të krizës potenciale pas vendosjes së reciprocitetit që do të nis me 1 shtator.

Ai thotë se pozitive është koordinimi SHBA-BE që krijon garanci se po shkohet drejt marrëveshjes finale.

“Vizitë e rëndësishme padyshim. Kjo vizitë tashmë po shihet që ka karakter të menaxhimit të krizës potenciale pas vendosjes se reciprocitetit në dokumente që pritët të ndodhë me 1 shtator. Kjo ka qenë tema kryesore e këtyre takimeve, dhe momenti i vizitës është jashtëzakonisht i rëndësishëm, pasi që vjen edhe pas takimit të liderëve të Kosovës dhe Serbisë. Një gjë pozitive është që ka koordinim transatlantik BE dhe SHBA, gjë që krijon garanci dhe incentiva për dinamizim të procesit dhe potencialisht zhbllokim drejt marrëveshjes finale”, vlerëson ai.

Sipas Fetahut, takimet janë mbajtur për ta parë qëndrimin e opozitës për dialogun dhe informimin e saj për mënyrën se si e shohin ecurinë e dialogut SHBA dhe BE-të.

Përpos kësaj, ai thotë se takimi ka qenë për të krijuar konsensus për marrëveshjen që mund ta kemi së shpejti, për të cilën do të nevojiten 2/3 e deputetëve në Kuvend.

“Mendoj që këto takime janë mbajtur së pari për të shikuar se ku qëndrojnë partitë opozitare karshi dialogut, dhe së dyti për të informuar opozitën se si BE dhe SHBA e sheh ecurinë dhe hapat e ardhshëm të dialogut. Po ashtu, konsideroj që ky takim ka shërbyer për krijim konsensusi nëse zhbllokim të marrëveshjes finale mund të kemi në të ardhmen e afërt. Domosdo për çdo marrëveshje përfundimtare duhet të ketë miratim të 2/3 të deputetëve që e votojnë, andaj diskutimi dhe koordinimi për një moment të tillë nuk përjashtohet të jetë diskutuar në rezidencën e ambasadorit amerikan”, potencon Arbër Fetahu për Gazeta Blic.

Ndërsa, lidhur me tensionet e mundshme me nisjen e reciprocitetit me 1 shtator dhe zgjidhjen para kësaj date, ai beson se do të ketë, për t’i parandaluar esklaimet.

“A do të ketë marrëveshje është vështirë e parashikueshme, por një zgjidhje që i parandalon eskalimet në veri besoj mund të arrihet. Kjo zgjidhje mund të jetë mosreagimi i Serbisë ndaj reciprocitetit me 1 shtator, pra pranimi i tij në heshtje pa cytje të strukturave ilegale, apo ndoshta një zgjidhje e përkohshme e njëjtë për të dija palët si ajo e arritur për targa”, thekson ai.

Por, Fetahu vlerëson se nuk duhet të ketë tërheqje prapa në targat KS apo modele që e kthejnë Kosovën para shpalljes së pavarësisë.

“Sidoqoftë, tërheqje prapa në targa KS apo modele tjera që e kthejnë Kosovën para 17 shkurtit 2008, nuk duhet të pranohet. Heqja dorë nga simbolet shtetërore duhet të bëhet nëse është për të dyja palët njësoj, dhe madje të jetë e përkohshme deri në arritjen e një marrëveshje për këtë çështje”, deklaron Arbër Fetahu./Gazeta Blic/