Dy zyrtarë të Telekomit të Kosovës mund të përfundojnë në burg si pasojë e “urdhrave” të jashtëligjshëm nga drejtuesit e shtetit.
Më 4 tetor të këtij viti, Telekomi i Kosovës kishte njoftuar se i janë bllokuar të gjitha llogaritë bankare për shkak të Prapësimit të Urdhrit Përmbarimor nga Gjykata Komerciale.
Ani pse tingëllonte si një problem serioz, drejtuesit e Telekomit duket se e kanë gjetur zgjidhjen. Kuptohet, si shpeshherë gjatë kësaj qeverisje, zgjidhje e jashtëligjshme.
Nën përkrahjen e Qeverisë së Kosovës, Telekomi ka vendosur të mos e përfill vendimin e gjykatës.
Siç merr vesh Paparaci, Telekomi ka bërë ekzekutimin e pagave përmes institucioneve jo-financiare, duke i paguar të punësuarit me para “cash”.
Drejtuesit e Telekomit të Kosovës, përkatësisht shefi i financave dhe u.d i kryeshefes ekzekutive po akuzohen për dy vepra penale. Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe Mosekzekutim i Vendimeve Gjyqësore.
Përmbaruesi privat kishte bllokuar llogaritë bankare të Telekomit të Kosovës pas vendimit nga Gjykata Komerciale.
Në njoftimin e Telekomit të lëshuar në tetor të këtij viti thuhej se Përmbaruesi Privat po synon të tërheqë nga llogaritë e Telekomit rreth 12 milionë euro.
Nga Telekomi ishte thënë se pavarësisht kallëzimin penal dhe denoncimit të kontratës, askush nga zyrtarët e personat e përfshirë nuk kanë dhënë llogari para gjykatës.
“Siç është i informuar publiku tashmë, ky rast është pasoja e dytë më e madhe e një kontrate tejet të dëmshme të vitit 2009, përmes së cilës Telekomi i Kosovës, deri tani, përveçse është dëmtuar financiarisht me mbi 100 milionë euro, është detyruar padrejtësisht të paguajë edhe mbi 60 milionë euro të tjera përmes proceseve gjyqësore që ishin kurdisur përmes kësaj kontrate. Me këtë bllokim të llogarive Përmbaruesi Privat synon të tërheqë nga llogaritë e Telekomit të Kosovës, dhe për interes të Z-Mobile, edhe rreth 12 milion euro borxh kryesor”, thuhej në reagimin e Telekomit.