Deputeti i zgjedhur shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka akuzuar Ivica Daçiqin lidhur me presionin e tyre që përsëritet zgjedhjet në Tërnoc të Bujanocit.
Kamberi, në një postim në Facebook tha se është lajm i mirë që Komisioni Komunal Zgjedhor në Bujanoc ka refuzuar ankesën e tij dhe partisë SPS.
“Megjithë presionin e Ivica Daçiqit dhe SPS, lajm i mirë që sot Komisioni Komunal Zgjedhor në Bujanoc ka refuzuar ankesën e tyre për përsëritjen e zgjedhjeve në Tërnoc të Bujanocit”, shkroi ai në Facebook.
Kamberi shtoi se presioni politik i strukturave qendrore në Beograd ndaj organeve zgjedhore kundër shqiptarëve është vazhdimësi e praktikave të viteve të 90-ta.
“Sado që vazhdojnë përpjekjet për ta pamundësuar zërin e shqiptarëve në parlament, ato nuk do të mund ta ndalin vullnetin e mbi 13.000 votave të shqiptarëve të Luginës. Për Luginën dhe për shqiptarët në përgjithësi do të flasin të zgjedhurit e tyre sipas interesave të tyre”, shtoi tutje Kamberi.


