Ndryshe nga zgjedhjet e para katër viteve, kryeministri Albin Kurti s’ka marrë pozicion publik sa i përket betejës për president në mes të demokrates Kamala Harris dhe kandidatit republikan, Donald Trump. I pyetur lidhur me këtë çështje, Kurti ka thënë se si kryeministër i Republikës së Kosovës do të punojë me të gjithë.
Ky qëndrim i Kurtit ka ardhur pavarësisht faktit se përgjatë administratës së Trump kishte pasur përplasje brutale me zyrtarë amerikanë, përfshirë kryeprotagonistin Richard Grenell.
“Unë tash jam kryeministër i Kosovës dhe bashkëpunoj me udhëheqës të shteteve nga të gjitha anët e spektrit politik, si kryeministër i Republikës së Kosovës. Si kryetar i VV-së, jam social-demokrat, jam demokrat dhe s’kam asgjë të re të shtoj. Marr pjesë në të gjitha konferencat, samitet e partive simotra, edhe në Evropë edhe në botë. Edhe të partive të tjera, siç ishte ajo në Chikago në SHBA”, kishte thënë Kurti më 29 tetor 2024.
Pavarësisht kësaj, kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë në Konventën Kombëtare të Demokratëve të mbajtur muaj më pare dhe Lëvizja Vetëvendosje më 4 nëntor e kanë publikuar në profilin e tyre zyrtar të partisë, deklaratën që kandidatja demokrate, Kamala Harris, ua ka drejtuar komunitetit shqiptaro-amerikan në prag të zgjedhjeve presidenciale.
Lidhur me pritjet për zgjedhjet në SHBA ka folur dje edhe kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla-Schëarz, e cila ka thënë se nuk sheh indikacione që politika amerikane ndaj Kosovës mund të ndryshojë pas zgjedhjeve.
“Jemi me fat që në SHBA kemi pasur mbështetjen e të dyja kampeve, pra të atij republikan dhe atij demokrat. Prandaj, nuk shoh asnjë sinjal që një gjë e tillë të ketë ndryshuar gjatë rrugës”, tha Gërvalla kur u pyet në një konference për media se çfarë pret në marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së pas zgjedhjeve atje të martën.
Njohës të politikës amerikane kur kanë analizuar atë se çfarë mund ta pret Kosovën pas zgjedhjeve dhe cilat janë pritshëmritë nga dy kandidatët, kanë thënë se s’ka pritje shumë të mëdha nga Kamala Harris, ndërkohë për Trump kanë parashikuar kaos. Madje është paralajmëruar edhe mundësia e rikthimit të idesë së shkëmbimit të territoreve nëse Trump do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë.