Lajme

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, Osmani: Qytetarët kanë 2 opsione, integrim apo izolim

04/24/2024 10:48
nga:Y I

Kandidati për president të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka hedhur votën e tij nën shoqërimin e gruas së tij.

Në një deklaratë para mediave, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më të madh dhe të votojnë sipas bindjes së tyre.

“Uroj sot zgjedhje të lira, fer dhe demokratike. Inkurajoj qytetarët të dalin në numër sa më të madh, të votojnë sipas bindjes së tyre, vullnetit të tyre. Të votojnë me qëllim dhe shpresë për një të ardhme më të mirë për vendin tonë”, tha Osmani.

Ai poashtu tha se këto zgjedhje nuk janë të zakonshme, por vendimtare për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut.

“Mendoj që këto zgjedhje nuk janë të zakonshme, por janë vendimtare për të ardhmen e vendit tonë për shkak se shteti është në udhëkryq. Dy opsione janë para nesh dhe qytetarët duhet të vendosin për integrim apo izolim”, u shpreh më tej kandidati për president.