Lajme

Zgjedhjet në Amerikë, analisti politik: Për të mirën e Kosovës, duhet të fitojë Kamala Harris

10/30/2024 19:27
nga:Genita C

Një analist politik ka theksuar se zgjedhjet e ardhshme në Amerikë do të kenë ndikim të rëndësishëm në çështjet e Kosovës.

Jeton Halimi për GazetaBlic tha se, se politikat e Republikaneve, veçanërisht ato të ish-presidentit Trump, i cili sipas tij, ka lidhje me Putinin e Rusisë, nuk janë të mira për establishmentin e Kosovës.

“Zgjedhjet në Amerikë do të ndikojnë në çështjet e Kosovës, sidomos politikat e Republikaneve dhe ish-presidentit Trump, i cili ka raportet me Putinin e Rusisë. Këto nuk janë të mira për establishmentin e Kosovës”, tha Halimi.

Ai e vlerëson Harris si një figurë të fortë në fushatë, duke e përshkruar atë si “shumë të përmbajtur ndaj kundërkandidatit Trump.”

Analisti gjithashtu theksoi rëndësinë e ndihmës amerikane për popullin e Kosovës.

“Shpresojmë shumë që demokratët do të fitojnë përsëri dhe kanë një kandidate femër si Kamala Harris. Shto këtu faktin se ka bërë një fushatë shumë të mirë dhe ka qenë shumë e përmbajtur ndaj kundërkandidatit Trump.Demokratët kanë politika shumë të qarta për Kosovën dhe e dinë shumë mirë që populli i Kosovës ka nevojë për ndihmën e Amerikanëve. Jo rastësisht e përkrahin Kosovën në çdo aspekt për t’u forcuar më shumë”, thotë Halimi.

Duke u ndalur te situata gjeopolitike, analisti paralajmëroi se lufta në Ukrainë mund të ketë pasoja të rënda për Ballkanin.

“Lidhet shumë edhe lufta në Ukrainë; nëse fiton Rusia, atëherë forcohet edhe Serbia, e cila është barrë e madhe për BE-në dhe Amerikën për të mos lejuar përshkallëzimin e situatës në Ballkanin Perëndimor. Kjo situatë as pak nuk i pëlqen NATO-s, e cila mund të lëvizë në drejtim të kundërt dhe mund të lërë Ballkanin në rendin e dytë, pasi fokusi shkon maksimalisht te Rusia”, përfundon Halimi për GazetaBlic.