Lajme

“Zgjedhjet mundësi e re për reflektim e ndryshim”/ Izmaku: Vendit i duhet një qeveri normale

08/18/2024 18:16
nga:N K

Me 9 shkurt 2025 Kosova do t’i mbajë zgjedhjet e rregullta parlamentare.

Vendimi u mor nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për Gazeta Blic, u deklarua Xhevahire Izmaku, anëtare e Nismës Socialdemokrate.

Ajo tha se data e zgjedhjeve e gjen Kosovën me një nevojë të jashtëzakonshme për ndryshim qeverisës.

“Data e zgjedhjeve si një normë demokratike, Kosovën e gjen me një nevojë të jashtëzakonshme për ndryshim qeverisës. Kosova gjatë këtyre 4 viteve ka humbur kohën e çmueshme në konsolidim së pari si organizëm shtetëror ende i brishtë, duke i lëkundur raportet ndërkombëtare të ndërtuara mbi sakrificën e lirisë”, deklaroi ajo.

Izmaku pret një sukses të konsoliduar duke sjellë një qeveri sipas saj normale për vendin.

“Sa i përket zgjedhjeve, pres një sukses të konsoliduar të opozitës së tanishme, duke sjellë qeveri normale për vendin, që e ka prioritet jetesën e njerëzve në këtë vend, zhvillimin e infrastrukturës e rritjen e pagave. Një qeveri që do ta ketë arsyen e autoritetit e jo popullizmin”, tha ajo.

Po ashtu, ish deputetja shtoi se në këtë 4 vjeçar qeverisës humbëm mundësinë të jemi anëtarë në KE, si dhe sipas saj zgjedhjet e reja janë një mundësi e re.

“Ne jetuam një 4 vjeçar si një fushatë zgjedhore të pandalshme nga qeveria. Nuk pamë zhvillim në arsim, përkundrazi, projektet kapitale munguan, me përjashtim rrugët nacionale që ende s’kanë marrë epilog. Për katër vite asnjë njohje d.m.th stagnim dhe humbëm shansin të jemi anëtarë të KE. Zgjedhjet e reja janë mundësi e re për reflektim e ndryshim”, theksoi ajo.

Izmaku tha se zgjedhjet e reja duhet të sjellin qeveri normale për vendin, të kthejnë besimin e qytetarëve, si dhe të dinë të ruajnë bashkëpunimin me aleatët tanë.

“Qytetarët e kanë të lehtë sepse e mendojnë gjendjen e tyre ekonomike së pari dhe reputacionin e shtetit, për të vendosur një altwrnativë tjetër. Zgjedhjet e reja duhet të sjellin një qeveri normale për vendin, që kthen besimin se ka autoritet në këtë vend, që di t’i ruajë aleancat me miqtë tanë, dhe mendon për ekzistencën më të mirë ekonomike për qytetarin”, përfundoi anëtarja e Nismës, Xhevahire Izmaku.

/GazetaBlic/

Kadrijaj: Kurti po e përfundon mandatin me zero rezultate dhe me humbje të imazhit të Kosovës