Lajme

Zgjedhjet lokale – “Në kaq komuna do garojnë së bashku LVV dhe Lista Guxo”

05/27/2021 22:37
nga:Gazeta Blic

Njohësi i çështjeve politike, Adrian Çollaku, në emisionin “Politiko” në Kanal 10, tha se sipas informatave të tij, Lëvizja Vetëvendosje do të garojë në së paku tre komuna në koalicion me Listën “Guxo”, shkruan Gazeta Blic.

Çollaku theksoi se koalicioni mes LVV-së dhe Listës Guxo do të zyrtarizohet para fushatës së zgjedhjeve lokale që do mbahen në fund të këtij viti.

“Tash ne kemi miq dhe informacione brenda partive politike. Sipas burimeve të mia Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista “Guxo” do të garojnë së bashku në së paku në tre komuna”, tha Çollaku.

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Krenar Shala, thotë se në Kosovë gjithmonë dallojnë zgjedhjet lokale me ato të përgjithshme, shkruan Gazeta Blic.

Rrjedhimisht siç thotë Shala, nuk pret që Lëvizja Vetëvendosje do të mund të fitojë më shumë de 30% të komunave në të cilat do të garojnë. Madje, shprehet se as për këtë përqindje nuk është i sigurt.

“Dallojnë zgjedhjet lokale me ato të përgjithshme. Në këtë rast nuk pres që Lëvizja Vetëvendosje do të mund t’i fitojë më shumë se 30% të komunave. Madje as për këtë nuk jam i sigurt”, tha Shala.