Opinion

Zgjedhjet e sotme në SHBA dhe çka nënkuptojnë ato për ne

11/08/2022 22:19
nga:Faton Bislimi

Shkruan: Faton Bislimi

Sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po mbahen zgjedhjet e gjysëm-mandatit, apo ‘midterm elections’ sic njihen në zhargonin zgjedhor këtu.  Nga 100 ulëse në Senat, sot në proces zgjedhor janë vetëm 34 prej tyre. Kurse nga 435 ulëset në Dhomën e Përfaqësuesëve, të gjitha janë në proces zgjedhor sot. 

Në Dhomën e Përfaqësuesëve, Demokratët kanë pasë shumicën që nga zgjedhjet e vitit 2018 kur kishin marrë 235 vende nga 435, shumicë kjo e zvogëluar mandej në vetëm 222 vende në zgjedhjet e vitit 2020. Është e pritshme që në zgjedhjet e 2022 që po mbahen sot, nëse vazhdon trendi 2018-2020, atëherë lehtazi do të mund të shohim një shumicë Republikane në Dhomën e Përfaqësuesëve. Kurse, në Senat, Demokratët kanë pasë shumicën vetëm përmes votes së Zëvendës Presidentës Harris, që njëkohësisht shërbene dhe si Kryetare e Senatit. Nga 100 ulëset në Senat, Demokratët kanë 48, Republikanët 50, dhe dy janë të pavarur – Angus King nga Maine, dhe Bernie Sanders nga Vermont – por të cilët votojnë në linjë me Demokratët, duke ju dhënë atyre shumicën vetëm me votën e Kryetarës së Senatit, pra Zëvendës Presidentes Harris (51 vs 50).

Pos Dhomës së Përfaqësuesëve që lehtazi sonte mund të rrëshaqas në një shumicë Republikane, edhe shumica e thjeshtë e Demokratëve në Senat nuk është fare e sigurtë. Janë një sër fushëbetejash të nxehta në garën për Senat, që ka qenë edhe fokusi më i përqëndruar i Demokratëve. Sic duket, të bindur se e kanë thuaja të pamundur të ruajnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesëve, Demokratët pikësynim në këtë fushatë të midterms e kanë pasë Senatin. Andaj, fushëbetejat e nxehta që do të përcaktojnë fatin e Senatit sonte janë: Pennsylvania, Nevada, Georgia, Wisconsin, Arizona, North Carolina, New Hampshire, Ohio, Florida, dhe Colorado. Nga këto shtete fushëbetejë, në katër pritet të fitojnë Republikanët (Wisconsin, Ohio, North Carolina, Florida), në tri Demokratët (Colorado, New Hampshire, Arizona), dhe tri të tjera (Pennsylvania, Nevada, dhe Georgia) janë totalisht të paparakishkueshme ngase thuaja kandidatët janë kokë-më-kokë dhe një diferencë shumë e vogël votash do ta përcaktojë fituesin. Por, edhe këtu, shihet një tendence e elektoratit që të përqafojë Republikanët më shumë sesa Demokratët.

Atëherë, cka nëse Republikanët fitojnë shumicën në të dyjat apo në njërën nga dhomat e Kongresit të SHBA-ve – Dhomën e Përfaqësuesëve dhe Senat? Thjeshtë, ku mbetet Kosova në këtë mes, dhe cilat janë avantazhet apo disavantazhet për interesat tona kombëtare?

Zgjedhja e Presidentit Biden më 2020 ishte një fitore edhe për shqiptarët sepse në Shtëpinë e Bardhë, shef ishte bërë tanimë një njeri që njihte shumë mirë historinë tonë dhe kishte përkrahur clirimin dhe pavarësinë e Kosovës që nga mes-vitet e 1990-ta, kur ishte Senator dhe mandej Kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit të SHBA-ve. Këtë përkrahje nga Biden, ne e kishim arritë falë punës së jashtëzakonshme me të nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, dhe respektivisht nga Joe DioGuardi e Shirley Cloyes DioGuardi.

Normalisht, se një Presidenti në SHBA, për të cuar përpara agjendën e vet i duhet shumica në të dyja Dhomat e Kongresit, dhe Biden deri më tani ka qenë shumë me fat sepse këtë shumicë e ka pasur. Por, sonte, gjithëcka mund të ndryshojë! E ky ndryshim na prek edhe neve, Kosovën, në vecanti e shqiptarët në përgjithësi – jo se të gjithë ne ideologjikisht jemi të lidhur me Demokratët, por sepse rrethanat gjeopolitike janë të favorshme sot nën këtë nomenklaturë politike në SHBA sic është tani.

Një shumicë Republikane në Dhomën e Përfaqësuesëve apo në Senat do komplikonte fuqishëm vendimmarrjen e Biden në përgjithësi dhe politikat e tij të brendëshme, por edhe politikën e jashtme, gjithësesi.  Për të ilustruar këtë, sidomos në politikën e jashtme, ngase aty është interesi ynë, së pari duhet shikuar se me cilët kandidatë fitimtarë Republikanët do arrinin shumicën qoftë në Dhomën e Përfaqësuesëve, qoftë në Senat – me ata që njihen si “MAGA Republicans” apo Trumpistë, apo me ata që janë Republikanë më tradicionalë dhe anti-Trumpistë. Keni parasysh se kjo fushatë ka shënuar involvimin më të zëshëm të ish Presidentit George W. Bush në përkrahje të kandidatëve më tradicionalë Republikanë, pra, atyre anti-Trumpistë. Realisht, nëse Trumpistët fitojnë, kjo do të jetë një shtytje e madhe për ish Presidentin Trump të sfidojë vetën edhe njëherë në garën e ardhëshme presidenciale.

Por, të kthehemi tek ilustrimi konkret: nëse Dhomën e Përfaqësuesëve e marrin Republikanët, ata marrin edhe udhëheqjen e të gjitha komisioneve e komiteteve aty. Psh, ne do të humbisnim një mik jashtëzakonisht të fuqishëm e të madh tonin, Kongresistin Gregory Meeks nga pozita e Kryetarit të Punëve të Jashtme të Kongresit, ngase në vend të tij do të vinte një Republikan. Po ashtu, do të humbisminim nga pozita e tij e rëndësishme si Kryetar i Komisionit Kongresional për të Drejtat e Njeriut edhe Kongresistin Jim McGovern, ngase edhe ai do zëvendësohej nga një Republikan. Tutje, po ashtu, do të humbisnim nga pozita kyce si Kryetar i Komisionit të Ligjësisë edhe Kongresistin dhe mikun e mocëm të shqiptarëve, Jerry Nadler. Pra, këta janë disa shembuj se si do ndryshonte casja jonë në Kongresin e SHBA-ve, respektivisht në Dhomën e Përfaqësuesëve.

Njësoj thuajase do ndodhte edhe në Senat, në rast se Republikanët marrin shumicën, atëherë ne do të humbisnim nga pozita jashtëzakonisht e fuqishme e Kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme të Senatit, Senatorin Bob Menendez, një mik të pazëvendësueshëm të shqiptarëve, zyrtarin më të lartë amerikan që nuk ka hezituar asnjëherë të dalë në mbrojtje të Kosovës (e kundër asociacionit të komunave serbe), dhe në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve etnikë në Luginë të Preshevës.  Krejt këta njerzë që i pëmenda këtu janë miq e bashkëpunëtorë të ngushtë të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe si rezultat janë përkrahës së kauzës sonë kombëtare.

Prandaj, edhe nëse njëra apo të dyja dhomat e Kongresit shkojnë në favor të Republikanëve, nuk është fundi i botës për ne. Po, na zgjatën pak disa procese që i kemi të kanalizuar dhe në procedim e sipër më këta liderë të tanishëm në Kongres, por ne kemi dicka që historikisht nga ka shpëtuar qoftë kur në shumicë ishin Republikanët apo Demokratët, dhe ajo është trashëgëmia e puna e mbi tri dekadave rresht e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane nën lidershipin e Joe e Shirley DioGuardit që gjithëmonë kanë punuar në baza bi-partizane (pra, me të dyja taborret politike) për kauzën kombëtare shqiptare. Andaj, edhe nëse në këto pozita kyce pas sotit, vijnë Republikanët, që do fillonin mandatin në Janar 2023, përmes Ligës Qytetare dhe për shkak të punës së ngushtë edhe me Republikanët, ne do të jemi përsëri aty ku duhet për Kosovën në vecanti dhe shqiptarët në përgjithësi.

Sidoqoftë, nuk duhet harruar e nuk duhet të hamendësohemi asnjëherë se kemi vetëm edhe dy vjet të një dritareje unike të mundësisë gjerësa në Shtëpinë e Bardhë e kemi një mik si Biden që disa procese jetike për Kosovën t’i kryejmë pa prolongim—vecanërisht dialogun me Serbinë. Kushdo që nesër do vijë në Shtëpinë e Bardhë pas Biden, nuk do e ketë as njohurinë, as sentimentin, e as vullnetin ta shoh më favorshëm Kosovën sesa Biden! Koha është aseti më i cmueshëm në këtë botë. Atë duhet shfrytëzuar tani, nesër është vecse tjetër kohë!

Dr. Faton Bislimi është ekspert i politikës së jashtme dhe vecanerisht i marrëdhënjeve shqiptaro-amerikane. Ai është anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe ish-deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.