Njohësi i çështjeve politike në Serbi, Ognjen Gogic, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me situatën e sigurisë në veri të vendit në prag të zgjedhjeve të parakohshme.
Gogic ka thënë se krejt çfarë po ndodh atje është vazhdimësi e situatave që kanë ndodhur nga viti i kaluar.
Ai ka thënë se ka rrezik që diçka e ngjashme mund të ndodhë edhe këtë herë.
“Situata në komunat veriore prej disa muajsh është e paqëndrueshme. Ka pasur jo pak incidente me të shtëna, djegie makinash dhe arrestime. Pra, ky nuk është një trend i ri, por një vazhdimësi e përkeqësimit të situatës së sigurisë nga viti i kaluar.Dhjetorin e kaluar, zgjedhjet që duhej të mbaheshin në atë kohë ishin shkas që nisën zinxhirin e ngjarjeve të rrezikshme, nga sulmet me bomba, të shtënat, arrestimet dhe ndalimet e deri te barrikada.Është një rrezik që diçka e ngjashme mund të ndodhë këtë herë. Megjithatë, nuk mendoj se do të jetë aq e rëndë sa herën e kaluar” tha Gogic.
Gogic ka potencuar se incidentet e dhunshme do të ishin të dëmshme për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.
“Marrëveshja Bruksel-Ohër është ende relativisht e freskët. Të dyja palët duhet të paraqiten si konstruktivë dhe me qëllime të mira në lidhje me marrëveshjen. Incidentet e dhunshme do të ishin të dëmshme për zbatimin e marrëveshjes. Asnjëra palë nuk dëshiron të shihet si përgjegjëse për dështimin e saj të mundshëm. Prandaj, veprimet do të jenë më të matura dhe të përmbajtura. Megjithatë, unë shqetësohem se disa renegatë ose të jashtëligjshëm në veri që veprojnë më të pavarur nga Beogradi mund të provokojnë incidentet për të prishur të gjithë procesin e normalizimit” deklaroi Gogic.
“Situata aktuale nuk është e favorshme për mbajtjen e zgjedhjeve në Veri të vendit”.Kështu po deklaron për “Gazeta Blic” publicisti i njohur, Shkëlzen Maliqi.
Maliqi tha se zgjedhjet ka gjasa të shtyhen jo vetëm për shkak të bojkotit të ‘Listës Serbe’ por edhe për shkak të mungesës së kushteve elementare për mbarvajtjen e tyre.
“Lista Serbe është instrument i Beogradit dhe jo forcë politike që vendos vetë për dalje apo mosdalje në zgjedhje. Nëse me 23 prill në katër komunat në veri të Kosovës, të cilat nga vjeshta janë pa organe të pushtetit vendor, zgjedhjet nuk mbahen për shkak të bojkotit të votuesëve serbë, atëherë duhet të konsiderohet se zgjedhjet nuk u lejuan nga qeveria serbe në Beograd, dhe jo se këtë e ka bërë Lista Serbe.Duhet kujtuar se sipas rregullave kushtetuese dhe vendimit të KQZ-së, zgjedhjet është dashur të mbahen para tre muajve, me 18 dhjetor, por u shtyen me kërkesën e faktorëve ndërkombëtarë. Edhe situata aktuale nuk është e favorshme për mbjatjen e zgjedhjeve, dhe ka gjasa që ato sërish të shtyhen jo vetëm për shkak të bojkotit të paralajmëruar të Listës Serbe, por edhe për shkak të mungesës së kushteve elementare për rregullsinë dhe mbarëvajtjen e tyre. Mungon infrastruktura për zgjedhjet” tha ai.
Publicisti Maliqi tha se edhe nëse në zgjedhje do të merrnin pjesë vetëm disa parti, ato shqiptare, boshnjake dhe disa serbe të padirigjuara nga Beogradi, përqindja e daljes së votuesve do të ishte shumë e vogël.Maliqi potencon tytje se do të ishte më mirë që zgjedhjet të mos mbaheshin pa u arritur një marrëveshje politike që do të mundësonte përfshirjen e Listës serbe.
“Kur serbët u larguan nga instituionet e Kosovës, i kanë lëshuar edhe komisionet zgjedhore dhe mbikëqyrëse, numëruesit etj. Pastaj nuk besoj se është e qartë çështja e vendvotimeve, ato zakonisht hapeshin në objektet e shkollave, por tani është gati e sigurtë se do të ketë obstrukcione nga drejtoratet e shkollave, kështu që mund të mos lejohet as vendosja e kutive për votime.Nga KQZ-ja ka pas informata se po shqyrtohen skenaret alternative të votimit, por nuk edhe nëse ato mbahen, ç’ka di në shatore, vështirë se për kohën e shkurtë që ka mbetur do të mund të sigurohet rregullsia dhe legjitimitti i pjesëmarrjes, nëse në zgjedhje do të mernin pjesë vetëm disa parti, ato shqiptare dhe boshnjakëve gjithësesi, por edhe disa parti të serbëve të padirigjuara nga Beogradi. Por, me përqindje ata do të ishin shumë irelevant, me gjasa nën 5 %, kështu që është më mirë që zgjedhjet të mos mbahen fare pa arritur një marrëveshje politike që do të mundësonte përfshirjen e Listës Serbe” deklaroi Maliqi.
Ai tutje shtoi se Beogradi me manovra të tilla që po bën në Veri të vendit, dëshiron të fitojë në kohë duke vonuar implementimin e marrëveshjes së Ohrit.
“Unë besoj se nuk do të mbahen me 23 prill, por autoritetet shqiptare do të insistojnë edhe disa ditë që të respektohen procedurat ligjore që kilja për dështimin t’i mbetet në përgjegjësinë dhe meskinitetin e Beogradit, sepse Vuçiqi edhe pas arritjes së Marrëveshjes së Ohrit, i bën obstrukcion normalizimit të gjendjes duke përkrahur kërkesën ultimative të Listës Serbe se nuk duhet të mbahen zgjedhjet pa u krijuar paraprakisht Asociacioni i komunave me shumicë të popullatës serbe. Dhe me që komunat në veri nuk janë funksionale që nga nëntori, nuk ka se si të bëhet Asociacioni, zgjedhjet edhe janë shpallur që ato komuna të rifunksionlizohen.Beogradi me këto manovra bojkoti të institucioneve kosovare në Veri, dëshiron të fitojë në kohë duke komplikuar dhe vonuar implementimin e marrëveshjes së Ohrit”Ai thotë se për të lëvizur nga kjo situatë që ndodhemi tani duhet sërish intervenimi i SHBA-ve dhe BE-së e nëse kjo nuk ndodh është skenari tjetër, ai i destabilizimit dhe krizave.
“Për të lëvizur nga bllokada e re, duhet të aktivizohet sërish fushata intervenuese diplomatiko-ndëshkuese e SHA-ve dhe BE-së, që tashmë po përpiqen ta përshpejtojnë procesin e hartimit të një statusi për Asociacionin, dhe për këtë koncept duhet të arrihet pajtimi, pastaj vijnë zgjedhjet. Kjo dinamikë doemos kërkon shtyerjen e zgjedhjeve ndoshta edhe deri në vjeshtë të këtij viti, për ta menaxhuar tërësinë e procesit në disa hapa. Pra, fillimisht vjen koncepti i Asociacionit brenda kornizës shtetërore të Kosovës, më pas vijnë zgjedhjet, e në hapin e tretë funkcionalizimi i Asociacionit me njerëz të zgjedhur. Paralelisht do të duhhej të implementoheshin të gjitha marrëveshjet tjera të arritura në Dialogun e Brukslit, sepse kjo është dakorduar në Bruksel dhe Ohër”
“Por ky është skenari optimist e optimal, nëse angazhohet Perëndimi. Skenari tjetër, është ai i shpërthimnit të pakënaqësive dhe krizave destabilizuese nëse lejohet ose ndërsehen forcat politike ekstreme. Para së gjithash, pritet të ketë trazira në Veri të frymëzuara nga krimi i organizuar që ka lidhje me politikën serbomadhe dhe pro-ruse. Reagimet destabilizuaese do të mund të vinin edhe nga zhvillimet e brendshme në Serbi ku opozita e djathtë, dhe jo vetëm ajo, sheh shansin që të rëzojë nga pushteti Vuçiqin. Kjo mund ta komprometoj regjimin serb para ndërkombëtarëve, por edhe për ne është me reziqe. Qeveria e Kosovës dhe partitë opozitare në strategjinë e tyre nuk duhet të bëjnë llogari krye në vete dhe falso sovraniste për të përfituar nga lajthitjet e politikës serbe, pa mbajtur konsulta të ngushta dhe të shpeshta me SHBA-të dhe BE-në, pra të mos vazhdohet assesi me atë kryeneqësi dhe politika arrogante, që vitin e kaluar krijuan bindjen se kryeministri Kurti nuk është bashkëpunues me Perendimin, por konsiderohej pjesë e problemit. Tani që është përshatur dhe bërë pragmatist, duhet të riparojë qasjen mirëbesuese ndaj perëndimit” deklaroi Maliqi në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic”.
Drejtori i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike në Kosovë, Fatmir Sheholli, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor me 23 prill më Veri të vendit.Sheholli tha se duke u nisur nga deklaratat e ndërkombëtarëve dhe ato çfarë është biseduar në Ohër me SHBA-të, nuk pret që Lista Serbe të krijojë probleme.
“Lista Serbe gjithmonë ka qenë problematike, prej kur është themelu dhe është përfshi në tregun politik të Kosovës. Por duke u nisur nda deklaratat e zoti Borrel, Lajçak dhe duke u nisur nga të gjitha ato që janë biseduar në Ohër me SHBA-të dhe të tjerër, pra duke e ditur Lista Serbe se cilat janë sanksionet e jashtëzakonshmë nëse bën probleme të natyrave të cilat janë kundër Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës atëherë do të ishte ‘budallaki’ e madhe e Listë Serbe nëse ata bëjnë probleme.”
Ai tha se nga vëzhgimet që janë duke bërë në terren ka një masovizim të jashtëzakonshëm të serbëve që të mos marrin pjesë në zgjedhje.
Sheholli shtoi se nuk pret të ketë probleme tani, por pas mbajtjes së zgjedhjeve.
“Ne në terren çfarë kemi parë këto ditë dhe jemi tani në vëzhgim, shohim se ekziston një masovizim i jashtëzakonshëm i serbëve që mos të marrin pjesë në zgjedhje. Nuk besoj se do të ketë probleme por besoj se problemet do të jenë pas mbajtjes së zgjedhjeve” tha Sheholli.


