Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se mund të kemi zgjedhje të parakohshme në pranverë.
Lidhur me këtë deklaratë, për Gazeta Blic ka folur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci.
Ai thotë se AAK dhe partitë tjera opozitare kërkojnë zgjedhje të reja çdo vit, por që ato do të mbahen vitin e ardhshëm.
“AAK dhe partitë e tjera opozitare për çdo vit kërkojnë zgjedhje të reja. Si opozitë këtë punë e kanë. Me kalendar, zgjedhjet e ardhshme duhet të mbahen në vitin tjetër”, thotë deputeti për Gazeta Blic.
Por, a është e gatshme VV për zgjedhje dhe cilat janë pritjet për rezultatet në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që ato mbahen?
Lidhur me këto, Bajqinovci thotë se në sondazhe VV ka dalë e para me rreth 50 për qind.
“Të gjithë i kemi parë sondazhet e fundit kur LV del e para me rreth 50 %, pa e llogaritur votën e mërgatës. Pra, mbështetja për LV edhe pas 3 vjetëve qeverisje vazhdon të jetë e lartë”, vlerëson ai.
Deputeti i VV-së shprehet i sigurt se zgjedhjet e ardhshme do t’ia dëshmojnë opozitës se rezultati i zgjedhjeve të vitit 2021 ka qenë mesazh për ta, që nuk e kanë lexuar siç duhet asnjëra nga to.
“Për një gjë jam i sigurt: zgjedhjet e ardhshme do t’ia dëshmojnë opozitës se rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2021 nuk kanë qenë aksident, siç kanë dëshirë të thonë shpeshherë, por mesazh i qartë nga populli për ta. Mesazh që për fatin e tyre të keq nuk e kanë lexuar siç duhet asnjëra, asnjëherë”, deklaron Mefail Bajqinovci./Gazeta Blic/