Lajme

Zgjedhja e Kryeprokurorit, deklarohet Presidenca: Një kundërkandidat ka paraqitur ankesë

05/17/2023 11:57
nga:G B

Emërimi i kryeprokurorit të shtetit nuk është bërë ende nga e presidentes, Vjosa Osmani.

Se në çfarë faze gjendet ky proces, për Gazeta Blic ka folur Bekim Kupina, këshilltar për media në Zyrën e Presidencës.

Ai ka thënë se ditë më parë Presidenca është njoftuar për parashtrimin e një kërkesë individuale nga njëri nga kundërkandidatët në procesin e zgjedhjes së kryeprokurorit, ku kontestohet Aktgjykimi i 23 dhjetorit 2022, i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës.

“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, nëpërmjet një letre, është njoftuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës se në këtë Gjykatë është parashtruar një kërkesë individuale nga njëri nga kundërkandidatët në procesin e zgjedhjes së kryeprokurorit. Në këtë kërkesë kontestohet Aktgjykimi i 23 dhjetorit 2022, i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, i cili ndërlidhet me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit”, thotë Kupina.

Ai shton se Presidentja Osmani se do t’i marrë të gjitha veprimet në përputhje me mandatin e saj kushtetues për këtë proces.

“Presidentja Osmani ka sqaruar në vazhdimësi se të gjitha veprimet lidhur me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit, do t`i ndërmarrë në përputhje me mandatin e saj kushtetues, duke respektuar pavarësinë e procedurave gjyqësore, sikurse edhe të drejtën e kandidatëve për të shteruar procedurat kushtetuese dhe ligjore për realizmin e të drejtave të tyre”, potencon ai për Gazeta Blic.

Kupina thekson se sapo të përfundojë trajtimi i çështjes së Kryeprokurorit në gjitha instancat gjyqësore, Osmani do të veprojë në përputhje me detyrimet dhe përgjegjësitë e saj kushtetuese.

“Sapo të përfundojë trajtimi i çështjes së Kryeprokurorit në gjitha instancat gjyqësore, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, Presidentja Osmani do t`i ndërmarrë veprimet e nevojshme në përputhje me detyrimet dhe përgjegjësitë e saj kushtetuese”, deklaron Bekim Kupina./Gazeta Blic/