Bologna, që siguroi rikthimin në Champions League pas 60 vitesh si pasojë e një sezoni fantastik, do të humbasë shërbimet e Ricardo Calafiorit.
Qendërmbrojtësi 22-vjeçar, një ndër të paktat gjëra të bukura të Italisë në Euro 2024, është afër transferimit në Premier League tek Arsenali.
Drejtuesit e klubit emilian po punojnë për gjetjen e zëvendësuesit të Calafiorit. Dhe po tentojnë një goditje të madhe me parametra zero.
Bëhet fjalë për Mats Hummels, i cili ka dalë lojtar i lirë si pasojë e mbylljes së aventurës me Borussian e Dortmundit.
Skuadër të cilën e udhëhoqi drejt finales së Champions League, e humbur 2-0 përballë ekspertëve të Realit të Madridit.
35-vjeçari ende nuk ka vendosur për hapin e radhës në karrierë, por pas tij qëndron edhe Bayer Leverkuseni.
Xabi Alonso e kërkon për t’i shtuar përvojë, lidership dhe klas skuadrës së tij. Ndërkohë që te Bologna ëndërrojnë firmën me të.
Italianët po tentojnë të bindin kamponin e botës me Gjermaninë në 2014 të transferohet në Serie A.
Në fund do të jetë vetë mbrojtësi i shquar, i cili pavarësisht formës së mirë nuk u ftua nga Nagelsmann në Euro 2024, që do të zgjedhë ekipin e ri.