Florim Canolli është një nga zërat më të njohur dhe më të pëlqyer në fushën e komentimit sportiv në vendin tonë.
I dalluar për energjinë, spontanitetin dhe emocionin që sjell në çdo transmetim, ai është bërë sinonim i ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës.
Në intervistën e tij për ‘Expose‘, prodhim i ‘GazetaBlic’, ai flet me krenari për mbulimin dhe komentimin e ndeshjeve, kurse është shumë i lumtur për suksesin e arritur në këto kualifikuese për Kupën e Botës.
“Po ndihem jashtëzakonisht mirë, pasi jam një nga ata që e kam përcjell nga Finlanda e vitit 2016 e deri më tani. Ka qenë rrugëtim me ulje e ngritje, por tani është kulmi i asaj që kemi mundur të bëjmë: Arritja në “Play Off” dhe jemi dy ndeshje larg Botërorit. Është shumë e rëndësishme edhe për shkak të jehonës që kemi marrë në arenën ndërkombëtare, që për shtetin tonë është shumë e rëndësishme, jemi shtet që nuk jemi pranu nga shumë shtete evropiane dhe kjo është reklamë e madhe. Tani jemi në një moment kulminant, por nëse nuk arrihet Botërori pastaj mbetemi në një situate “Play Offi” nuk do ishte gjëja e duhur. Tani duhet të përgatitemi maksimalisht që ta kalojmë Play Offin dhe nëse arrihet Botërori do ishte e jashtëzakonshme për gjithë shqiptarët kudo që janë”, tha fillimisht, Canolli.
Tutje, Canolli komentoi edhe ardhjen e lojtarëve të rinj tek Kosova, kurse veçoi edhe autoritetin e trajnerit, i cili sipas tij, ka ndryshuar formacionin, ka lënë yjet e mëdha në bankë, por e ka mbajtur atmosferën e grupit në nivelin më të lartë.
“Ardhja e disa lojtarëve të rinj, por mbi të gjitha trajneri Franco Foda, erdhi për të krijuar frymë të re dhe ajo çka bëri me Sudinë… humbja nga Zvicra ishte shuplakë, ku Foda e pa se duhet bërë ndryshime rrënjësore në skemën e ekipit tonë, ne luajmë me 5-3-2, këto ndryshime kanë kriju një grup dhe skemë të re, pasi ne po na konvenon. Sot, Foda ka vendosur për skemë tjetër, që po e lë Zhegrovën në bankë, por qëllimi është të arrihen fitoret, e kur ato arrihen edhe nëse Zhegrova, Rashica, apo dikush tjetër në bankë, atëherë ai s’e ndërron skemën. Ajo që dua të theksoj se të gjithë futbollistët po ndihen pjesë e ekipit, krejt kanë luajtur nga Saipi deri te Sadriu. Pjesa dërmuese kanë minuta, janë të bashkuar”, shtoi tutje, komentatori Canolli.
Krejt në fund, nuk mund të mos pyetej edhe për ndeshjet më emocionuese të Kosovës që ai ka komentuar, ku veçoi dy prej tyre.
“Deri sot kam dy, ndeshja me Bullgarinë 2-3 dhe me Suedinë 2-0 në shtëpi, kam pasur emocionet në kulm. Kur ne humbëm 4-0 nga Zvicra dhe vjen fiton me Suedinë 2-0, krijon reaksion si te lojtarët, ashtu edhe tek komentatorët, sepse e duam shumë vendin tonë“, përfundoi Canolli.
/GazetaBlic Sport/


