Lajme

Zeqiri: Nëse nuk plotësohen kërkesat, do të nisin dorëheqjet e policëve

11/07/2023 12:09
nga:N K

Imer Zeqiri, kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës, ka thënë se po që se nuk plotësohen kërkesat e policëve nga ana e Qeverisë, do të pasojnë masa ekstreme, përfshirë dorëheqjen e policëve.

Njësia Speciale Intervenuese dhe Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive dhe njësi të tjera të Policisë, kanë pezulluar protestën e thirrur për sot para ndërtesës së Qeverisë. Sipas njoftimit, deri te pezullimi ka ardhur pasi drejtori i Përgjithshëm i PK-së i shoqëruar nga menaxhmenti i PK-së gjatë takimit me këto njësi i ka informuar se kryeministri Albin Kurti ka premtuar që javën e ardhshme do t’i presë në takim zyrtar menaxhmentin e PK-së së bashku me përfaqësuesit e këtyre njësive, për t’i diskutuar kërkesat e tyre, respektivisht për të gjetur një zgjidhje.

Në një deklaratë për Kohën, Zeqiri ka thënë se në Polici ka shpresë që takimi të jetë frytdhënës.

Njoftimi për pezullim të protestës së këtyre njësive për një kohë të pacaktuar është një lajm që po mendojmë se na është hapë një derë rreth takimeve dhe diskutimeve për mirëqenien e policisë. Sindikata ka pasur edhe më herët kërkesa të ngjashme për Policinë e Kosovës. Shpresojmë se takimi i paralajmëruar do të jetë frytdhënës, që të mos shkojmë me veprime ekstreme. Është lajm i mirëpritur. Do të kërkojmë të aprovohen kërkesa e Policisë së Kosovës, pasi nuk janë realizuar deri më tani. Nëse nuk plotësohen kërkesat, kanë me marrë masa më ekstreme, duke filluar nga dorëheqja e Policisë së Kosovës”, ka thënë ai.